Nis zëvendësimi i pishave të djegura në Pishë-Poro

Me nismë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në Pishë-Poro të Fierit ka nisur puna për rigjelbërimin e sipërfaqeve pyjore.
Nisma synon rigjenerimin e ekosistemit të kësaj zone.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vlerësoi se u bë e mundur mbjellja e 1100 fidanëve të parë të pishave.
“U mbollën 1100 fidanë aty ku fatkeqësisht patëm një humbje të madhe për shkak të zjarreve, por jo të pariparueshme”, theksoi ministrja.
Kumbaro tha se gjithë vitit 2024 i cili do t’u kushtohet programeve të pyllëzimit, rehabilitimit, ndërgjegjësimit dhe shumë nismave të tjera.
Zjarri i shtatorit të këtij viti në zonën e mbrojtur natyrore të Pishë Poros, në Fier, ka djegur plotësisht një sipërfaqe pyjore me pisha prej 818.5 hektarë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrotura njoftoi se vlera e dëmit të përllogaritur, kap shifrën e 1,2 milionë dollarëve.
/ rtsh.al /