E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis zhvendosja e kishës 672-tonëshe për t’i hapur rrugë minierës gjigante në Suedi

Një kishë historike në Suedinë veriore , e ndërtuar 113 vjet më parë dhe me peshë 672 ton, po zhvendoset me 500 metra në orë në një platformë të tërhequr për t’u transportuar pesë kilometra larg, pasi miniera e zonës do të zgjerohet në vendin ku ndodhej më parë. 

Kisha mbresëlënëse prej druri të kuq të Kirunës, në Suedinë veriore, filloi të zhvendosej në një vendndodhje të re, një fazë simbolike në zhvendosjen e të gjithë qytetit për të lejuar zgjerimin e minierës më të madhe të Evropës.

Kiruna, e konsideruar si një nga ndërtesat më të bukura në Suedi, është një kishë luterane e ndërtuar në vitin 1912 dhe peshon 672 ton. Ajo ishte vendosur në një platformë të tërhequr me telekomandë dhe lëviz shumë ngadalë: 500 metra në orë.

Kisha pritet të arrijë në destinacionin e saj, 5 kilometra larg nga vendi ku ka qenë deri më tani, nesër të mërkurën nën vëzhgimin e më shumë se 10,000 njerëzve, përveç 18,000 banorëve të qytetit që janë mbledhur pas barrierave të sigurisë. Midis tyre do të jetë edhe Mbreti Karl XVI Gustaf.

Televizioni suedez do ta transmetojë të gjithë udhëtimin drejtpërdrejt me tridhjetë kamera të vendosura përgjatë itinerarit.

I gjithë qendra e qytetit të Kirunës po lëviz nga zgjerimi i minierës masive LKAB. Ndërsa operacionet e minierave shtrihen gjithnjë e më thellë – kompania aktualisht po nxjerr në një thellësi prej 1,365 metrash – stabiliteti i tokës poshtë qytetit është zvogëluar, duke rritur rrezikun e shembjes në disa zona. Banorët kanë vënë re tashmë çarje në shtëpi dhe rrugë.

Zhvendosja e qendrës së qytetit të Kirunës filloi në vitin 2004 dhe pritet të vazhdojë të paktën deri në vitin 2035. Qendra e re e qytetit u përurua në shtator 2022.

Kostoja e zhvendosjes së kishës, e vlerësuar në 44.8 milionë euro, është përballuar nga LKAB.

Kisha imponuese, e projektuar nga arkitekti suedez Gustav Wickman, kombinon ndikime të ndryshme arkitekturore dhe përfshin motive të frymëzuara nga Sami-t, populli indigjen i rajonit, të cilat zbukurojnë stolat.

Pjesa e jashtme neo-gotike e kishës paraqet çati dhe dritare të pjerrëta në secilën anë të kishës. Brendësia e saj paraqet elemente romantike, duke përfshirë një ikonostas të pikturuar nga Princi Eugene i Suedisë (1865-1947) që përshkruan një peizazh me ngjyra pastel të frymëzuar nga udhëtimet e tij në Toskanë dhe Suedinë jugperëndimore.

Kisha është një nga 23 monumentet që janë zhvendosur tashmë në Kiruna, me LKAB që e quan zhvendosjen “një ngjarje unike në historinë botërore”.

Objekte të tjera më të mëdha dhe më të rënda janë zhvendosur në të kaluarën, por zakonisht përmes porteve ose zonave industriale, jo përmes qyteteve të vogla.

Rrugët e Kirunës u zgjeruan nga nëntë në 24 metra për të mundësuar rrjedhën e qetë të trafikut, një proces që zgjati një vit, sipas LKAB.

Toka përreth vendndodhjes origjinale të kishës është gërmuar, duke lejuar instalimin e trarëve të mëdhenj nën ndërtesë për ta ngritur atë dhe më pas instalimin e platformës së tërhequr.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›