E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani- Ivanov: Të zbatohet marrëveshja e Ohrit

Të dy Presidentët vlerësuan se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve kanë arritur një nivel të kënaqshëm, duke theksuar se është e nevojshme që të punohet më shumë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, energjitikës, infrastrukturës, transportit hekurudhor, rrugor e liqenor, arsimit, kulturës dhe veçanërisht në zbatimin e projekteve me rëndësi prioritare.

Presidenti Nishani dhe Presidenti Ivanov ranë dakord që të punojnë për zbatimin e projekteve rajonale të “Korridorit 8” dhe lidhjen e autostradës “Adriatiko-Joniane” me “Korridoret 8 dhe 10”.

“Marrëveshja e Ohrit përbën një themel të sigurtë ligjor për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë”, u shpreh Presidenti Nishani dhe theksoi se Shqipëria dëshiron të shohë më shumë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Presidenti Nishani u shpreh gjithashtu se dialogu politik, përgjegjshmëria institucionale dhe veprimi i shtetit ligjor për të gjithë njëlloj, duhet të ndihmojnë në shmangien e incidenteve dhe ruajtjen e harmonisë etnike dhe fetare në vend.

Presidentët shkëmbyen mendime për integrimin euro-atlantik të dy vendeve tona dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e vlerësuar si esencial për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal. Presidenti Nishani kërkoi mbështetjen e Maqedonisë për përfshirjen e Kosovës në nismat dhe forumet rajonale. /Start/

                                                                                             2012-09-15 09:01
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›