Nishani: Gatishmëri dhe vullnet institucional për zgjidhjen e problemeve të të përndjekurve
Kreu i Shtetit Bujar Nishani takon përfaqësues të ish-përndjekurve. Dëmshpërblimet, miratimi i ligjit të lustracionit, heqja e titujve të nderit për persekutorët e diktaturës si dhe shndërrimi i disa burgjeve, në muze të kujtesës, në qendër të bisedës
Miratimi sa më parë i ligjit të lustracionit, përshpejtimi i procesit të dëmshpërblimit, heqja e titujve të nderit të dhënë nga regjimi diktatorial, trajtimi më me dashamirësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore për punësimin e të përndjekurve politikë dhe familjarëve të tyre si dhe kthimi apo kompensimi i pronës me përparësi për këtë kategori, kanë qenë çështjet kryesore të diskutuara në takimin e djeshëm mes presidentit Nishani dhe përfaqësuesve të të përndjekurve politikë. Sipas Presidencës, mësohet se një prej çështjeve të diskutuara ishte dhe ngritja e një muzeu në Tiranë kushtuar qëndresës ndaj diktaturës, rigjenerimi atje ku është e mundur i burgjeve dhe kampeve të internimit, në mënyrë që ato të mbeten dëshmi kujtese e të kaluarës së hidhur. “Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e të përndjekurve politikë për vendin dhe u shpreh i gatshëm për të pritur dhe dëgjuar zërin e tyre sa herë që të paraqitet nevoja, duke theksuar se dëshiron që kjo pjesë e shoqërisë sonë të jetë më aktive në jetën e vendit”, theksohet ne njoftim. Duke nënvizuar se sa më të bashkuar të jenë të përndjekurit me njëri-tjetrin aq më i fortë bëhet zëri i tyre në shoqëri, Kreu i Shtetit ofroi gatishmërinë dhe vullnetin institucional për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të ngritura nga të përndjekurit politikë, duke nxitur institucionet e shtetit dhe shoqërinë civile. Presidenti Nishani mirëpriti idenë për kryerjen e veprimtarive, të cilat do të ndihmonin për të mbajtur gjallë kujtesën e qëndresës anti-diktatoriale.
...