Berisha: Sot në mbledhjen e qeverisë, miratohet marrëveshja historike për TAP

Investimi në territorin shqiptar, 2 miliardë dollarë dhe 20 mijë të punësuar
Këshilli i Ministrave pritet të miratojë tekstin e marrëveshjes midis tre vendeve Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin Trans Adriatik (TAP). Ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit, pasi investimi direkt në territorin shqiptar, është 2 miliardë dollarë dhe me rreth 20 mijë të punësuar Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje nga faqja e tij zyrtare në Facebook se, sot, në mbledhjen e qeverisë, do të miratohet teksti i marrëveshjes midis Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin Trans Adriatik (TAP). “Nesër (sot) në mbledhjen e qeverisë, marrëveshja historike për TAP!”, shkruan kryeministri. Për kreun e qeverisë, ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë. Investimi direkt i TAP në territorin shqiptar, është 2 miliardë dollarë me rreth 20 mijë të punësuar. “Në mbledhjen e qeverisë, nesër, miratohet teksti i marrëveshjes midis tre vendeve Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin Trans Adriatik, TAP. Ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë. TAP sjell gazin nga deti Kaspik, Azerbajxhan, kalon në rreth 200 km në territorin tonë dhe përfundon në Itali. Investimi në territorin tonë për ndërtimin e tij është rreth 2 miliardë dollarë dhe krijohen, direkt dhe indirekt, rreth 20 mijë vende të reja pune”, u shpreh Berisha. Ai tha se, ky projekt shndërrohet në një faktor madhor bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve nëpër, të cilat ai kalon. “Ky projekt shndërrohet në një faktor madhor bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve nëpër të cilat ai kalon. Ai bën të mundur gazifikimin e plotë të vendit, çka nënkupton për familjet shqiptare ngrohje dhe gatim me çmim shumë më të arsyeshëm se sa sot. Shqipëria me ndërtimin e TAP-it merr një rëndësi nevralgjike për energjinë në rajon”, theksoi kryeministri. TAP në fazën e parakualifikimit Aksionerët e gazsjellësit TAP, Trans Adriatik Pipeline ndodhet në fazën delikate të përzgjedhjes nga konsorciumi si projekti fitues i cili do transportojë gaz nga Kaspiku drejt Europës. Kësisoj, aksionerët e TAP kanë aplikuar për leje mjedisore pranë qendrës kombëtare të licencimit të biznesit në Tiranë. TAP ka paraqitur në fund të Janarit një raport të detajuar për ndikimet që do ketë në mjedis ndërtimi i Gazsjellësit në gjithë gjatësinë prej 209 km të kufirit shqiptaro-grek. Gjurmët e tubacionit në Shqipëri pritet të nisin nga fshati, Bilisht qendër në rajonin e Korçës. Ndërkohë autoritetet në vend pritet të organizojnë një numër dëgjesash publike në fund të shkurtit. Përveç kësaj, Trans-Adriatik Pipeline ka marrë miratimin nga ministrat e lartë të vendeve pritëse Greqi, Itali dhe Zvicër, në një takim të mbajtur me përfaqësuesit e tubacionit në Davos, Zvicër. Vetë kompania ka njoftuar se ka nisur publikimin e shprehjes se interesit për të ftuar prodhuesit e çelikut në tenderin të blerjes së një sasia prej 400 mijë ton çeliku që do duhet për ndërtimi e gazsjellësit në gjatësi 800. Procesi i parakualifikimit të firmave do të zhvillohet në dy faza dhe sipas drejtorit të TAP, Sigurd Hamre, procesi i investimit pritet të nisë në 2015. Por investimet nga ana e TAP po zhvillohen paralelisht me zhvillimet në terren nga Shan Deniz që do të sigurojë gazin nga Azerbajxhani. Projekti TAP është projektuar për të transportuar gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe përtej detit Adriatik në jug të Italisë dhe më tej në Evropën Perëndimore. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP-së do të jetë 10 miliardë metra kub gaz në vit, por mund te arrije deri në 20 miliardë metra kub gaz në vit. Aksionerët e TAP janë AXPO e Zvicrës (42.5 për qind), STATOIL e Norvegjisë (42.5 për qind) dhe E. ON Ruhrgas e Gjermanisë (15 për qind). Gazifikimi i Shqipërisë përmes TAP Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP) është një projekt i fuqishëm energjetik, që pritet të jetë një burim i fortë për ekonominë shqiptare dhe zgjon premisat për thithjen e investimeve të huaja nga kompani serioze botërore. Përfitimet do të jenë të shumta. Siç mund të theksohet përqendrimi i kompanive gjigante energjetike në vendin tonë, dhe kjo i sjell një vlerë të shtuar për investitorë të tjerë të huaj dhe e vendos Shqipërinë në një hartë më të sigurt politike për investimet e huaja. Përfitime vijnë edhe nga tranzitimi i gazit. Për çdo kalim do të gjendet një formulë që do të shpërblejë Shqipërinë edhe qytetarët shqiptarë, sidomos ata ku kalon ky gazsjellës, për të përfituar nga ajo çfarë u takon realisht për të marrë. Ndërtimi i TAP, do të sjellë furnizim të mjaftueshëm me gaz për të gjitha familjet shqiptare, me një çmim shumë herë më të ulët sesa aktualisht.
...