E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: “Lufta kundër krimit s’do njohë kompromis”

31-03-2012 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani


Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, përgëzoi dje, në një konferencë shtypi, forcat e Policisë së Shtetit si dhe strukturat e hetimit të krimit për operacionet që realizuan në Tiranë dhe në Vlorë,  duke arrestuar dy të dyshuar si autorë të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale. “Dëshiroj të përcjell përgëzimin dhe vlerësimin për strukturat e policisë së Tiranës dhe të Vlorës për realizimin me sukses ditën e djeshme të dy operacioneve shumë të rëndësishme në ndalimin e disa seria - autorëve të disa veprave të rënda kriminale në Tiranë dhe në Vlorë. Gjithashtu dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe falënderimin për strukturat e hetimit të krimit të organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët ofruan një investigim profesional në mbështetje të strukturave operacionale në Tiranë dhe në Vlorë, ofruan të gjithë infrastrukturën e nevojshme hetimore në grumbullimin, sistemimin dhe paraqitjen e provave të nevojshme për të dy këta serial autorë. Dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe falënderimin për Laboratorin e Kriminalistikës, punonjësit e të cilit përveç një pune profesionale, por edhe në një kohë rekord, bënë të mundur evidentimin, ekzaminimin dhe paraqitjen e të gjitha provave të nevojshme për strukturat operacionale, të cilat më pas bënë të mundur ndalimin e këtyre autorëve”, tha ministri Nishani. Ministri Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për bashkëpunimin e qytetarëve me forcat e policisë,  duke garantuar se, organet e rendit janë të angazhuara maksimalisht për sigurimin e rendit publik.  ”Gjithashtu dëshiroj t’u shpreh falënderimet disa qindra qytetarëve, të cilët ofruan gatishmërinë, por dhe bashkëpunimin e tyre për strukturat e Policisë së Shtetit në realizimin me sukses të këtyre operacioneve për goditjen e këtyre autorëve”, vijoi Nishani. Kreu i ministrisë se Brendshme garantoi se më e fortë do të bëhet angazhimi dhe ndërhyrja e strukturave të Policisë së Shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë. ”Shfrytëzoj këtë rast për të garantuar qytetarët shqiptarë se sa më shumë i sofistikuar që të bëhet krimi, sa më shumë e organizuar të bëhet veprimtaria e grupeve apo individëve kriminalë, aq më e fortë, aq më e papërkulur do të bëhet angazhimi dhe ndërhyrja e strukturave të Policisë së Shtetit për të garantuar drejtësinë para ligjit, për të garantuar rendin e sigurinë, për të garantuar që çdo autor, pavarësisht angazhimit të tij kriminal, i vetmi destinacion i tij do të jetë drejtësia”, përfundoi Ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Një ditë më parë, në Tiranë, forcat e policisë  ndaluan autorin e  dyshuar të vrasjes së arkëtares së një dege banke në sheshin “Shtraus” dhe plagosjen e rëndë të rojës së kësaj banke. Ndërsa në Vlorës, forcat e Policisë se Shtetit, ne  bashkëpunim me oficerë të Policisë Italiane, ndaluan një të super kërkuar, i dyshuar si autor krimesh të rënda në Itali dhe Shqipëri dhe i arratisur vitin e kaluar nga një burg i sigurisë së lartë në Itali.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›