E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Policisë, Çaushaj: “Për 48 orë zbardhëm 16 ngjarje kriminale dhe prangosëm autorin e dyshuar Viktor Gushi”

31-03-2012 / Gazeta 55

Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Bernard Çaushaj zbulon detajet e zbulimit dhe arrestimit


Viktor Gushi, i arrestuar në Tiranë, një ditë me parë, dyshohet se është autori i 16 ngjarjeve  të rënda kriminale, kryesisht grabitje me armë të bankave. “Falë një operacioni të mirë organizuar i koduar ‘Banka’ i realizuar nga Strukturat për Krimet e Rënda dhe Forcat Operacionale Speciale, u bë e mundur kapja e autorit të kësaj ngjarje të rëndë i cili është shtetasi Viktor Kozma Gushi, 44 vjeç, lindur në Patos Fier e banues në Tiranë, i dënuar më parë në shtetin Grek për ‘Prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike’”.  Kjo u bë e ditur dje, në një konferencë shtypi nga Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Bernard Çaushaj, i cili theksoi se grupi hetimor ka arritur të dokumentojë me prova ligjore 16 ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura vitet e fundit ne Tiranë, me autor të dyshuarin shtetasin Viktor Gushi, i arrestuar pasditen e së enjtes. “Nga një hetim intensiv i kryer në orët e fundit, me këtë shtetas është bërë e mundur dokumentimi i 16 ngjarjeve të rënda kriminale, të kryera në mënyrë sistematike, për periudhën 2008 – 2012”, bëri të ditur Çaushaj. Sipas Çaushajt, Gushi ka pranuar autorësinë në këto ngjarje të rënda, duke dhënë sqarime në polici.  Viktor Gushi, 44 vjeç nga Fieri, është një person me precedent penal,  pasi ka qenë i dënuar në Greqi për shpërndarje të lëndëve narkotike. Prej 5 vitesh ai jetonte i vetëm në Tiranë, ndërsa  ishte frekuentues i rregullt i lojërave të fatit. Gjatë operacionit për kapjen e tij, forcat e policisë i bllokuan një pistolete tip TT me fishekë, por dhe doreza e  maska, të cilat janë përdorur në ngjarjet e rënda kriminale. Drejtori i Policisë Bernard Çaushaj, duke dhënë detaje për çështjen pohoi se, veprimtarinë kriminale, i arrestuari e ka zhvilluar i vetëm.    “Në momentin e kapjes në flagrancë këtij shtetasi i është bllokuar me cilësinë e provës materiale një pistoletë TT, si dhe një krehër me 7 fishekë, kalibër 7.62 mm, maska, doreza, veshja që ka përdorur në ngjarjen e fundit. Nga ekzaminimet laboratorike ka rezultuar se me këtë armë, ky shtetas ka kryer vrasjen e shtetasit Rrapo Sinanaj, vrasjen e shtetases Leonora Kaloçi dhe plagosjen e rënde te shtetasit Skënder Elmazi. U bë ekzekutimi i masës së sigurisë dhe materialet do ti kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së  Rrethit Gjyqësor Tiranë”, bëri të ditur më tej Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, duke falënderuar të gjithë qytetarët e Tiranës, të cilët kanë mbështetur dhe informuar në kohë strukturat e policisë për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa ka garantuar se Policia do të jetë në mënyrë të vazhdueshme në shërbim të qytetarëve. Viktor Gushi, u arrestua pasditen e së enjtes në një operacion të mirëorganizuar nga policia e Tiranës, në bashkëpunim me prokurorinë, pas një hetimi intensiv. Ai u arrestua 48 orë pas tentativës së vjedhjes me armë të filialit të NBG Bank pranë sheshit “Shtraus”, në Tiranë, ku si pasojë e përdorimit të armës mbeti i plagosur, roja i bankës, shtetasi Skënder Elmazi si dhe u plagos, duke gjetur vdekjen më pas në spital, punonjësja e bankës, shtetasja Leonora Kaloçi.                                       Ngjarjet e rënda kriminale, të kryera në mënyrë sistematike, për periudhën 2008 – 2012, prej Viktor Gushit 01. Vjedhja me armë të Filialit Raifaisen Bank, ndodhur më 20 qershor 2008 në sheshin “Rilindja” Tiranë. 02. Vjedhja me armë e Filialit “Raifaisen Bank”, ndodhur më 21 nëntor 2008 te rruga “4-Dëshmorët” Tiranë. 03. Vjedhja me arme e Filialit Raifaisen bank, ndodhur më 17 prill 2009 tek ish restorant Durrësi në Tiranë. 04. Vjedhje me armë e Filialit “Raifaisen Bank”, ndodhur me 13 Nëntor 2009 në qytetin e Fierit. 05. Tentativa e vjedhjes me arme e pikës së grumbullimit të lekëve të faturave të Ujësjellës kanalizimeve dhe dritave te shkolla e Baletit, ndodhur më 28 maj 2010. 06. Tentativa e vjedhjes me arme e pikës së grumbullimit të lekëve të faturave të Ujësjellës kanalizimeve dhe dritave te shkolla e Baletit, me pasoje plagosjen e rëndë të shtetases Vjollca Tobli, ndodhur më 07 korrik 2010. 07. Vjedhja me armë e pikës së grumbullimit të lekëve të faturave të Ujësjellës kanalizimeve dhe dritave te stadiumi “Dinamo”, ndodhur me 19 korrik 2010. 08. Vjedhje me armë e pikës së grumbullimit të lekëve të faturave të Ujësjellës kanalizimeve dhe dritave te shkolla e Baletit, ndodhur më 30 shtator 2010. 09. Tentativë e vjedhjes me armë e filialit të Postës Shqiptare nr. 31 te Medreseja, me pasojë plagosjen e rëndë të shtetases Malva Dako, ndodhur më 12 nëntor 2010. 10. Tentativa e vjedhjes me armë e Postës Shqiptare nr. 3 te Medreseja, ndodhur më 19 nëntor 2010. 11. Vjedhja me armë e pikës së grumbullimit të lekëve të faturave të Ujësjellës kanalizimeve dhe dritave te stadiumi “Dinamo”, ndodhur më 13 dhjetor 2010. 12. Tentativa e vjedhjes me armë e pikës së grumbullimit të lekëve të faturave të Ujësjellës kanalizimeve dhe dritave te stadium “Dinamo”, ndodhur 14 tetor 2011. 13. Tentativa e vjedhjes me armë me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinanaj te rruga “Reshit Petrela”, ndodhur me 21 tetor 2011. 14. Vjedhja me arme e “Wester Union” te stadiumi “Dinamo”, ndodhur më nëntor 2011, 15. Vjedhja me armë e filialit të “Raiffaisen Bank” te rruga e “Dibrës”, ndodhur më 30 janar 2012. 16. Tentativa e vjedhjes me armë e filialit NBG Bank te sheshi “Shtraus” me pasojë vdekjen e shtetases Leonora Kaloçi dhe plagosjen e rëndë të shtetasit Skënder Elmazi,  ndodhur më 27 Mars 2112.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›