“SHBA duhet të inkurajojë më tepër investimet amerikane në Shqipëri”

Gjatë vizitës në Washington, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Senatori Benjamin L. Cardin dhe senatori Bob Corker
Gjatë vizitës së tij në Uashington, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga bashkë-Kryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Senatori Benjamin L. Cardin.
Gjatë takimit, Meta vlerësoi vëmendjen që SHBA i kushton të drejtave të njeriut dhe forcimit të demokracisë në Shqipëri. Në këtë drejtim, ai e informoi Senatorin Cardin për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke nënvizuar klimën më pozitive të krijuar gjatë muajve të fundit. Meta vlerësoi gjithashtu edhe ndihmën e SHBA në kuadër të OSBE/ODIHR-it, për arritjen e standardeve më të larta elektorale përmes realizimit të reformës zgjedhore. Meta dhe Cardin ndanë mendimin se SHBA duhet të inkurajojë më tepër investime amerikane në Shqipëri me qëllim forcimin e lidhjeve tregtare, zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e mundësive më të mëdha të punësimit për të rinjtë. Senatori Cardin u shpreh se Shqipëria është një aleate e madhe e SHBA, dhe meriton më tepër vëmendje nga investitorët amerikanë. Në përfundim, Senatori Cardin shprehu një vlerësim të veçantë për rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe atë personal të Ilir Metës për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal.
Meta-Corker: Shqipëria vend i sigurt për investimet e huaja
Në përfundim të vizitës zyrtare në Uashington kreu i LSI-së, Ilir Meta takoi dhe senatorin Bob Corker, anëtar i Komisionit të Jashtëm të Senatit dhe i Komisionit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore. Meta dhe Corker pasi vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes SHBA-së dhe Shqipërisë, u përqendruan në intensifikimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike. Meta e informoi Senatorin Corker mbi progresin e bërë nga Shqipëria në drejtim të lehtësimit të barrës fiskale dhe burokratike për bizneset e huaja si dhe për krijimin e një klime miqësore për investitorët. Kreu i LSI nënvizoi se Shqipëria ofron mundësi të mëdha në fushën e energjisë dhe burimeve natyrore për investimet amerikane. Në këtë drejtim Meta tha se kompanitë amerikane duhet ta konsiderojnë Shqipërinë si një vend të sigurt për investimet e tyre, dhe si një portë hyrëse për të gjithë rajonin.
Meta dhe Senatori Corker ndanë mendimin se marrja sa më e shpejtë e statusit të kandidatit në BE, do të kontribuojë pozitivisht në thithjen e investimeve të huaja dhe në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.