E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Nuk ka rrezik për rikthimin e vizave

Urdhri i ministrit të Brendshëm për vendosjen e rregullave të reja për marrjen e pasaportave dhe kartave biometrike është i përkohshëm. Ka qenë vetë ministri Bujar Nishani ai që ka konfirmuar një gjë të tillë dje në komisionin e Integrimit, ku ishte ftuar të raportonte për procesin e pajisjes së shtetasve me karta dhe pasaporta biometrike, sigurinë e tyre dhe lëvizjen e lirë të shtetasve dhe rrezikut të rikthimit të regjimit të vizave, për shkak të kërkesave për azilantë. Sipas Nishanit, urdhri që ai ka nxjerrë nuk është i përhershëm dhe nuk synon, mbi të gjitha, që të fusë në procesin e aplikimit të pasaportave edhe organet e policisë. Nishani ka bërë të ditur se rregulli që para se të merret një pasaportë apo kartë personi duhet të marrë më parë një vërtetim nga organet e policisë është i përkohshëm dhe ka si synim parandalimin e rasteve të manipulimit nga persona të ndryshëm me të dhënat e identitetit. Por për socialistët përjashtimi i policisë nga ky proces rriti mundësinë e abuzimit me të dhënat dhe të prodhimit të mjeteve të identifikimit fals. “Përjashtimi i Policisë së Shtetit nga procesi i pajisjes me pasaporta biometrike ka krijuar një rrezikshmëri të rënies së pasaportës në duar të pasigurta”, - tha Balla. Ndërkohë që kreu i këtij komisioni, Ditmir Bushati, bazuar në një raport të FRONTEX-it, agjencisë së Bashkimit Europian për mbrojtjen e kufijve, u shpreh se shqiptarët renditen si numri dy në botë që udhëtojnë me dokumente të falsifikuara në Europë. “Natyrisht, unë nuk ndihem mirë që Shqipëria renditet e dyta në raportin e FRONTEX, pas Ukrainës, përsa i përket përdorimit të dokumenteve të falsifikuara gjatë udhëtimit”, - deklaroi Bushati. Çka është hedhur poshtë nga ministri i Brendshëm, i cili bëri të ditur se bëhet fjalë për shqiptarët që përdorin dokumente të huaja të falsifikuara, dhe jo ato që lëshon shteti shqiptar. Deputeti tjetër i opozitës, Taulant Balla, duke iu referuar falsifikimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, u shpreh se prokuroria ka nisur hetime për grupe që falsifikojnë këto mjete identifikimi për shumën 5 mijë euro. Ministri ka hedhur poshtë edhe çdo rrezik të mundshëm për rikthimit të regjimit të vizave me Shqipërinë, duke theksuar se rasti i azilkërkuesve nga Shqipëria është shumë i vogël. Ministri Nishani ka hedhur poshtë dhe pretendimet e opozitës për një numër të madh rastesh me gjakmarrje, duke akuzuar subjekte të ndryshme se, për të marrë fonde apo projekte më të shumta nga të huajt, kanë fryrë statistikat e këtij fenomeni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›