Malaj: Përjashtimi i shndërron deputetët në “kartona solidarë”
Deputeti socialist Arben Malaj thekson se masat ndëshkuese dhe përjashtuese do të jenë të dëmshme për sfidat politike të Partisë Socialiste
TIRANË Për deputetin dhe anëtarin e kryesisë së PS-së, Arben Malaj, modernizimi i partive politike është një proces dinamik, i gjatë dhe jo i lehtë. Duke iu referuar debatit më të fundit në PS lidhur me përjashtimin ose jo të Kastriot Islamit, Malaj ka theksuar se masat ndëshkuese dhe përjashtuese do të jenë të dëmshme për sfidat politike të Partisë Socialiste. “Masat ndëshkuese dhe përjashtuese do të jenë të dëmshme për sfidat politike të Partisë Socialiste. Aq më pak, ne nuk duhet të synojmë rritjen e efikasitetin tonë politiko-elektoral duke rritur masat ndëshkimore ndaj çdo deputeti socialist edhe në rastet kur mospjesëmarrja në votime apo votimi abstenues nuk prodhon një rezultat politik negativ për PS-në, por thjesht ajo që quhet “shkelje e disiplinës”. E duke u fokusuar në rastin e fundit, me mospjesëmarrjen e tyre kolegët deputetë të PS nuk i sollën partisë ndonjë dështim”, - tha Malaj, në një intervistë për NOA-n. Deputeti i PS-së nënvizon se “shtimi i rasteve statusore, kur një deputet penalizohet politikisht, krijon premisa negative në ushtrimin e mandateve politike, duke i shndërruar deputetet në thjeshtë “kartona solidarë”, pa të drejtë analize dhe qëndrimi të tyrin”. Nga ana tjetër, sipas Malajt, aktiviteti i një deputeti, mund të shërbejë si element vlerësimi për karrierën e tij politike, por në asnjë rast, sipas tij, mungesa në seancë parlamentare, mosvotimi, apo votimi abstenues duhet të shërbejnë për çregjistrim deputetësh nga grupi parlamentar. Gjatë intervistës, Malaj është pyetur edhe për ambicien e ish-kryeministrit dhe liderit të PS-së, Fatos Nano për President. “Është shpejt për të fokusuar debatin publik në këtë moment kritik të vitit 2012. Një nga vlerat kryesore të Nanos në politikën shqiptare është angazhimi konkret për shtensionimet e politikës shqiptare. Nuk ka ngurruar për të dhënë edhe dorëheqjen si Kryeministër i vendit apo kryetar partie. Politika shqiptare ka shumë të papritura në kapërcimin e krizave të saj politike, të cilat i zgjat pa fund dhe i zgjidh në minutën e fundit”, - tha ai. Në të njëjtën kohë, Malaj ka folur edhe për qëndrimin e deritanishëm të Nanos kundrejt PS-së. “Nuk besoj që Nano ka votuar ndonjëherë kundër interesave të vendit dhe të socialistëve. Presidenti i ardhshëm i vendit patjetër do të ketë nevojë për mbështetjen e partive politike, madje të më shumë se një partie, qoftë kjo edhe partia më e madhe në vend, siç është Partia Socialiste. Sa më e madhe të jetë mbështetja e partive politike, aq më i madh duhet të jetë detyrimi i Presidentit të ardhshëm për të punuar për ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve, duke ndihmuar forcimin e shtetit të së drejtës”,- tha ai.