Përjashtimi nga PS, zbardhet takimi sekret Ruçi-Islami
Grupi socialist voton sot për çregjistrimin ose jo të Kastriot Islamit. Deputeti takon në kryesinë e Kuvendit Ruçin dhe i kërkon që mbledhja e grupit të jetë e hapur për mediat. Tre variantet për fatin politik të deputetit
Partia Socialiste vendos sot nëse Kastriot Islami do të jetë më pjesë e grupit të saj parlamentar, apo jo. Do të jetë mbledhja e deputetëve e cila do të nisë punimet sot në orën 13.00, aty ku do bëhet “gjyqi” ndaj Islamit dhe për të vendosur më pas me votë për të pranuar ose jo propozimin e kryetarit Edi Rama për çregjistrimin e tij. Ndërkohë që takimi sekret i zhvilluar dje mes kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi dhe Islamit, duket se nuk ka dhënë një rezultat konkret, përveç faktit që ky i fundit ka kërkuar që mbledhja e sotme ku do të trajtohet kërkesa për çregjistrim të jetë me dyer të hapura për mediat, çka duket se nuk është marrë parasysh.
Mbledhja e grupit
Grupi i deputetëve socialistë do të zhvillojë një mbledhje jashtë natyrës së mbledhjeve të saj normale, pasi, përveç seancës së të enjtes, në të do të diskutohet dhe do të vendoset për fatin politik të deputetit Kastriot Islami. Vetë kolegët e tij do të duhet të vendosin nëse Islami do duhet të qëndrojë apo jo si pjesë e grupit. Për shkak të lidhjeve apo njohjeve personale, duket se për shumicën e anëtarëve të grupit ky vendim pritet të jetë i vështirë, ku mbizotëron një numër i madh të zgjedhurish socialistë të cilët pritet të jenë abstenues, të paktën në debat. Ndërkohë diskutimet pritet të jenë të përqendruara mes asaj pjese të deputetëve socialistë të cilët kanë qenë më afër Islamit këto dy vite dhe që kundërshtojnë një masë të tillë dhe pjesës tjetër, të cilët njihen si mbështetës të kryetarit Edi Rama dhe që janë pro propozimit të çregjistrimit. Nisur nga një fakt i tillë, deri dje në mbrëmje askush nga PS nuk mund të konfirmonte nëse propozimi i çregjistrimit do të miratohet apo jo. Kështu burime pranë kryetarit të PS e bëjnë përjashtimin një fakt të kryer dhe aspak të vështirë për t’u miratuar, pasi, sipas tyre, grupi do të ndjekë frymën e mbledhjes së kryesisë, për të përjashtuar Islamin dhe për ta bërë atë shembull për të tjerët. Ndërkohë që burime të tjera pranë grupit kanë bërë të ditur se vihet re një frymë më paqtuese nga ajo e mbajtur në kryesi, ku një pjesë e mirë e emrave të vjetër të kësaj force mund të kërkojnë që Islami vetëm të paralajmërohet dhe jo të përjashtohet. Natyrisht të njëjtat burime nuk përjashtojnë mundësinë edhe të një vendimi të ndërmjetëm, siç mund të jetë ai i pezullimit të anëtarësisë së Islamit në grup.
Takimi me Ruçin
Mbledhjes së sotme të grupit i ka paraprirë një takim mes Islamit dhe Ruçit, i cili është zhvilluar dje paradite në zyrën e këtij të fundit në kryesinë e Kuvendit. I ngarkuar nga kryesia, Ruçi mësohet se ka kërkuar nga deputeti shpjegime për mungesën në seancën e fundit, ndërkohë që Islami nuk ka pranuar që ta fokusojë bisedën në këtë çështje. Siç mësohet nga burime pranë PS-së, Islami i ka bërë të qartë Ruçit se nuk mund të hyjë në një diskutim të tillë, pasi propozimi për përjashtim të tij është një qëndrim politik i kryetarit Edi Rama dhe s’ka të bëjë fare me seancën e fundit plenare. Kështu mësohet se Islami është shprehur në takim se nuk ka sens arsyetimi që i bëhet kësaj kërkese me një rast të tillë, pasi ai qëndrime të tilla politike i ka mbajtur në më shumë se dy vjet rresht.
Gjithashtu, Ruçi është kujdesur që të diskutojë me Islamin edhe për mënyrën e organizimit të mbledhjes së sotme dhe të diskutimit për të, ndërkohë që vetë Islami të vetmen kërkesë që ka patur ka qenë ajo që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura për mediat. Kërkesë kjo që është mbajtur shënim nga Ruçi, por që duket se nuk është marrë parasysh nga drejtuesit e PS-së, pasi, siç mësohet nga burime të tjera pranë selisë rozë, mbledhja e sotme e grupit do të zhvillohet me dyer të mbyllura.