Nishani: Opozita ushtroi të drejtën e saj sovrane

Një ditë pas zgjedhjes në postin e Presidentit, Bujar Nishani flet për mediat: Kam marrë urime nga deputetë të PS-së
Presidenti i sapozgjedhur i Republikës, Bujar Nishani pas takimit me administratën e Ministrisë së Brendshme, deklaroi në një komunikim me mediat se opozita ushtroi të drejtën e sovranit të saj, kur nuk mori pjesë në votimin e Presidentit. Nishani tha se raportet me pakicën parlamentare do jenë konstruktive dhe brenda asaj që lejon Kushtetuta. Ai tha se nuk parashikon takime zyrtare me përfaqësues të opozitës para betimit në Kuvend. “Deputetët PS janë në parlament dhe kontakti me ta do të jetë në momentin e betimit dhe pastaj do jenë normale”- tha ai. I pyetur nëse kishte marrë urime nga deputetët opozitarë, pas votimit të tij si President, Nishani pohoi se kishte marrë “jo pak urime nga deputetë të PS-së". Z.Nishani, a ju vjen keq që nuk ju votoi dhe opozita dje në Kuvend? Natyrisht që do të më pëlqente shumë të merrja dhe votat e opozitës, por opozita ka ushtruar të gjithë të drejtën e sovranitetit të saj. Ajo që është e rëndësishme për mua ka të bëjë me faktin e respektit maksimal që unë i ofroj opozitës shqiptare ashtu si të gjithë institucioneve dhe aktorëve të rëndësishëm të jetës politike dhe publike në Shqipëri. Cili është vendimi i parë që do të merrni në detyrën si President? Kjo mbetet për t’u përcaktuar nga axhenda që do të bëj së bashku me stafin tim dhe me axhendën që ka Presidenca e Republikës. A do t’i bëni thirrje opozitës për bashkëpunim? Padyshim ai është dhe do të mbetet prioriteti maksimal nga dita e parë deri në ditën e fundit të administratës sime. Përmendët bilance pozitive në Ministrinë e Brendshme, po ndonjë peng? Natyrisht që askush nuk është pa pengje, por unë besoj që këto nuk kanë qënë të rëndësishme. Më të rëndësishme kanë qenë vetë përpjekjet e bëra për të arritur këto rezultate. Në pritje të marrjes së detyrës suaj, a do të keni paraprakisht një komunikim zyrtar me Partinë Socialiste? Unë besoj që nuk ka nevojë për procedura të tilla, për takime zyrtare para se të marr detyrën. Partia Socialiste është forca e dytë në parlament, deputetët e saj janë në parlament dhe kontakti me ta padyshëm që është dhe do të jetë në parlament, në momentin e betimit në parlament dhe më pas padyshim që kontaktet e mia do të jenë normale. Duke pasur parasysh se ju u votuat në unison nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por edhe nga të gjithë aleatët në qeverisje, duke pasur parasysh edhe sesi shkoi raundi i katërt, dorëheqja e kandidatit të mëparshëm, kandidimi juaj, a ishte surprizë për ju? Në radhë të parë më lejoni që ta shfrytëzoj këtë dalje të parë përpara jush me një falenderim të veçantë për gazetarët e median që e kanë ndjekur dhe e kanë respektuar këtë proces në mënyrë perfekte. Edhe unë personalisht ashtu si të gjithë deputetët, ju jam mirënjohës për punën shumë të madhe që keni bërë për t’i ofruar informacionin e nevojshëm publikut, i cili ishte padyshim shumë i interesuar për këtë proces. Së dyti, adresoj të gjitha konsideratat e mia për të gjithë kandidatët që u përfshinë në procesin e gjatë për Presidentin e Republikës... Përsa u takon surprizave, natyrisht surprizat janë gjithmonë të bukura, e vërteta është që ne shkuam për të votuar kandidaturën e Z.Artan Hoxha. Natyrisht më pas vendimi politik u bë i ditur para se të bëhej publik, vendim të cilin e mirëprita me kënaqësi nga kryetarët e partive të koalicionit. A keni marrë urime edhe nga deputetët e opozitës? Kam marrë... kam marrë edhe jo pak... Deri sa do të qendroni në detyrën e Ministrit të Brendshëm? Unë që ditën e djeshme përpara votimit në Parlament kam depozituar pranë Kryeministrit kërkesën për dorëheqje. Sot, siç e shihni unë bëra shkëputjen me stafin, për të krijuar një ambjent më relaksues në aspektin joformal. Formalisht kjo do të pasohet me dekretin e Presidentit të Republikës për lirimin tim nga detyra, pasi kjo t’i kërkohet nga ana e Kryeministrit, bazuar në kërkesën që unë kam depozituar dje. Nishani përshëndetet me stafin e Ministrisë së Brendshme: Kënaqësi që punova me ju Presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani u rikthye sot në dikasterin e drejtuar më parë prej tij, për të bërë një falënderim të veçantë për stafin dhe bashkëpunëtorët e tij. Kështu, presidenti Nishani në një takim të posaçëm me stafin dhe bashkëpunëtorë të Ministrisë së Brendshme shprehu falënderime dhe mirënjohje. “Kam ardhur t’iu them një Faleminderit të madhe për të gjithë bashkëpunimin që më keni ofruar, për të gjithë përkushtimin që më keni treguar, për pozicionet që keni mbajtur për ninvelin e lartë të profesionalizimit që keni treguar në të gjithë sektorët që mbuloni dhe një falenderim për kontributin në ministri për këtë vend, për këtë qeveri”, vuri në dukje Nishani. Në një listim të falënderimeve, ish-ministri Nishani veçoi faktin se ka një bilanc shumë të madh për të bërë në bashkëpunimin me punonjësit e ministrisë, policisë, qarqet dhe institucionet e tyrë të varësisë. “Kam qenë i privilegjuar që kam punuar me ju në një kohë jo të paktë. Jemi krenarë për shumë çka jemi përpjekur, çka kemi bërë për çka kemi kontribuar. Dëshrioj që në mënyrë të veçantë të shpreh vlerësim për atë që dhe qytetarët e këtij vendi na kanë dhënë vlerësime: mos harropjmë se administrata, strukturat e saj kanë qenë pjesë e infrastrukturës zgjedhore në zgjedhjet e 2009 e 2011. Me vullnetin dhe gadishmërinë sollët risi të rëndësishme në infrastrukturën zgjedhore, duke filluara nga regjistri elektronik që u bë për herë të parë valid, procesi i nisur dhe i konkluduar nga ju si staf i letërnjoftimeve lektronike apo pasaportave dixhitale, çka kontribuoi dhe në luftën kundër korrupsionit e trafiqeve, që u shoqërua me levizjen e lirë”, u shpreh Nishani, gjatë fjalës së tij.
...