E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Policët malazezë, para drejtësisë

 

Tiranë- Ministria e Brendshme ka kërkuar nga pala malazeze hetim dhe zbardhje të plotë të incidentit të ndodhur në liqenin e Shkodrës, ku policët malazezë plagosën me armë peshkatarin shqiptar. Reagimi ka ardhur pak minuta më parë përmes një deklarate për mediat, në të cilën ministria kërkon vënien e autorëve përpara përgjegjësisë. Ajo e ka konsideruar ngjarjen, jo vetëm tejet të rëndë, por edhe të papranueshme. “Duke e konsideruar ngjarjen në kundërshtim të plotë me frymën e mirë të bashkëpunimit reciprok mes dy policive dhe dy vendeve, kërkojmë nga strukturat përkatëse malazeze angazhimin maksimal për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë”- thuhet në deklaratë. Materialet për këtë ngjarje i kanë kaluar prokurorisë, për kryerjen e hetimeve. Mësohet se pak takimit mes policive të dy vendeve, zhvilluar ditën e djeshme, policia malazeze ka ngritur një grup hetimor, i cili është duke punuar mbi këtë ngjarje. Ngjarja ndodhi në 10 qershor, në liqenin e Shkodrës, përballë pikës kufitare të Shën Gjergjit, ku shtetasi shqiptar Hysen Skënderaj, 57 vjeç, lindur dhe banues në Luarëz, Komuna Velipojë, është qëlluar nga dy punonjës të policisë kufitare malazeze. Gjithçka ndodhi në kohën kur ai ishte duke peshkuar në ujërat tona territoriale. Punonjësit e policisë malazeze kanë qëlluar nga ana e territorit të tyre. Për fatin e tij të mirë, plumbat e goditën në nofull, duke e lënë vetëm të dëmtuar, por pa pasoja për jetën. Sipas burimeve nga spitali i Shkodrës mësohet se Skënderaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›