E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Reformat vetëm me PS në Kuvend

Bojkoti i opozitës ndaj parlamentit ka bllokuar plotësisht reformën në drejtësi, dhe bën të pamundur zbatimin e rekomandimeve që përmban progres raporti për vitin 2009 në lidhje me sistemin e drejtësisë. Gjatë një seance dëgjimore në komisionin e ligjeve, Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani ka renditur një sërë draftesh ligjore pjesë e reformës në drejtësi të cilat janë përfunduar ose janë duke u hartuar nga ministria por ka theksuar se mungesa e konsensusit të opozitës i bën të pavlefshme këto iniciativa.
Duke u ndalur në një prej institucioneve më të rëndësishme si KLD, ministri Nishani ka nënvizuar nevojën për forcimin e kapaciteteve të saj, por sërish janë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të cilat bllokojnë reformimin e këtij institucioni.
Reforma në sistemin e drejtësisë është një nga çështjet të cilat preket drejtpërdrejtë nga bojkoti i opozitës, pasi miratimi i ligjeve që prekin këtë sistem kërkon 84 vota në një kohë që maxhoranca aktuale ka vetëm 75 mandate. Deri më tani parlamenti ka mundur të miratojë vetëm dy ligje pjesë e kësaj reforme, ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor dhe ligjin për prokurorinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›