Nishani: Statusi, të jetë proces i merituar

Presidenti, Nishani dhe kryeministri i Kuvajtit, Sheik Jaber al Mubarak al Hamad al Sabah
NJU JORK- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në vijim të qëndrimit të tij në Nju Jork në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka zhvilluar një takim me Dukën e Madh Henry të Luksemburgut.
Pas një ekspozeje që Presidenti ka bërë për reformat e ndërmarra nga Shqipëria lidhur me prioritet kyçe të Komisionit Evropian, Nishani ka theksuar se populli shqiptar dhe institucionet shtetërore presin që marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian duhet të jetë një proces i merituar nga Shqipëria.
Presidenti Nishani ka përmendur ligjet e miratuara me shumicë të cilësuar votash, Kodin e ri Elektoral të miratuar me konsensus të gjerë politik, reformat në sistemin e drejtësisë,etj.
Duka i Madh Henry i Luksemburgut ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga Shqipëria, duke theksuar se vendet partnere të BE-së presin nga institucionet shqiptare hapa të mëtejshëm për plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat. Duka vlerësoi se konsensusi mes forcave politike në Shqipëri duhet të vijojë me qëllim që të arrihen standardet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në takimi ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti.
Një tjetër takim, Presidenti Nishani e pati edhe me Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikun Jaber Al Mubarak Al Hamad Al Sabah, të cilin e felenderoi për donacionet personale dhe të gjitha investimet në projektet madhore të Shqipërisë. Nishani shprehu gjithashtu dëshirën që Kuvajti të shfrytëzojë lidhjet dhe influencën e tij për të ndikuar në shtimin e njohjeve të shtetit të ri të Kosovës.