E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani anetareve te KQZ-se Orientohuni nga Kushtetuta e drejta dhe ligji

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka shprehur mbështetjen anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe i inkurajoi që të orientohen vetëm nga Kushtetuta, e drejta dhe ligji zgjedhor.
Gjatë një takimi në Presidencë kreu i shtetit shprehu bindjen se trupa e re e KQZ-së do të përfaqësojë me integritet punën e këtij institucioni dhe i siguroi për mbështetjen e tij në dhënien, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e procedurave burokratike në kuadër të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme parlamentare.

Nishani i inkurajoi anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në sfidat që kanë përpara të orientohen vetëm nga Kushtetuta, e drejta dhe ligji zgjedhor, pavarësisht situatave që mund të krijohen gjatë procesit zgjedhor dhe paszgjedhor.

Presidenti Nishani nënvizoi se zgjedhjet u takojnë qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë “domain” i asnjë force politike.

Kreu i Shtetit solli në vëmendje edhe ftesën për t’u konsultuar me partitë politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, takime të cilat do të mbahen në fillim të javës së ardhshme.

Ai i informoi anëtarët e KQZ-së edhe për Kodin e ri të Etikës, i propozuar nga OSBE-ja, për sjelljen e partive politike gjatë fushatës së ardhshme elektorale dhe procesit zgjedhor.

Presidenti u kërkoi anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të punojnë për ngritjen sa më shpejt të një infrastrukture ligjore, administrative dhe logjistike që do të ndihmonte në mbarëvajtjen e punës së institucionit.

Në emër të KQZ-së, Kryetarja Lefteri Lleshi e falenderoi Presidentin Nishani për mbështetjen e ofruar ndaj institucionit, dhe e siguroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në punën e tij do të jetë i orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›