E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani dekoron Haradinajn me Urdhrin “Skënderbeu”

Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, pas vendimit të Gjykatës së Hagës dhe lirimit nga akuzat.

Presidenti Nishani vlerësoi maksimalisht kontributin e Haradinaj si luftëtar, në drejtimin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për çlirimin e saj; rolin e tij si politikan në ndërtimin e institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës si dhe vendosmërinë dhe ndershmërinë në përballjen dinjitoze me drejtësinë ndërkombëtare, e cila dha një ndihmesë të çmuar në imazhin e vërtetë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës të mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ishte një luftë e drejtë për liri.

Kreu i Shtetit e cilësoi përballjen dinjitoze të Ramush Haradinaj në Gjykatën e Hagës si ngritje në dinjitetin e merituar të luftës së UÇK-së dhe vijim të rezistencës dhe sakrificës së qytetarëve të Kosovës që ranë për idealin më të lartë të kombit, lirinë.

Nga ana e tij ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e siguroi Presidentin se do të vazhdojë të kontribuojë me konstruktivitet në politikën e Kosovës për të ecur përpara për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin euroatlantik.

Në vijim Presidenti Nishani nderoi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” komandantin legjendar të UÇK-së, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, me motivacionin: “Për merita të shquara dhe kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin dhe udhëheqjen e spikatur të qëndresës së pashembullt e luftës legjendare të njësive të Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve e të pasurive të popullatës civile shqiptare e të integritetit territorial të trojeve shqiptare dhe për çlirimin e plotë të Kosovës”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›