E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Çamët të mbështeten nga gjithë politikanët shqiptarë

Lëvizja Vetëvendosje mbështet rezolutën që organizatat shoqërore e politike të shqiptarëve çamë dhe PDIU kanë paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë.

Çështja çame është një problem që duhet zgjidhur, sepse padrejtësia nuk mund të historicizohet e të shndërrohet në regjim të përhershëm.

Kërkesat e shqiptarëve çamë janë brenda kornizave të së drejtës ndërkombëtare të gjithë pranuar. Këto kërkesa janë drejta e pronësisë, e drejta e shtetësisë, e drejta e vizitës dhe e banimit në trojet prej të cilave janë përzënë dhunshëm gjatë shekullit XX. Shfarosja e çamëve, vrasja dhe përzënia e tyre prej Çamërisë ku kanë jetuar jetë e mot, përbën një nga krimet më të mëdha historike që janë kryer ndonjëherë ndaj shqiptarëve.

Është detyrë e politikës shqiptare, si në qeverisje ashtu edhe në opozitë, të kujdesen për vënien në vend të së drejtës së çamëve, në mënyrë që të shpaguhet vuajtja e brezave, po edhe cënimi i qindra mijëra çamëve që edhe sot privohen nga këto të drejta elementare njerëzore e civile.

Lëvizja Vetëvendosje mbështet të gjitha iniciativat e kësaj natyre, dhe i nxit çamët të organizohen e të vazhdojnë punën në këtë drejtim, ndërkohë që i bën thirrje gjithë shqiptarëve që të jenë të vëmendshëm e të ndihmojnë me sa munden në përparimin e kësaj çështje, drejtësimi e rregullimi i së cilës do të ishte një hap i rëndësishëm përpara në emancipimin e popujve ballkanikë, që ende sot vijojnë të jenë peng i padrejtësive të së shkuarës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›