E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani dekoron e Urdhrin Gjergj Kastrioti Skenderbeu Spindelegger

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi Zëvendëskancelarin e Austrisë, Michael Spindelegger me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me këtë motivacion: “Për kontribut dhe merita të shquara në mbështetje të Republikës së Shqipërisë e të popullit shqiptar në përpjekjet për zhvillimin e konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë e shtetit të së drejtës dhe përafrimit e integrimit në Bashkimin Europian.
Për kontribut të çmuar në konsolidimin e marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta e miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Austrisë dhe zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy popujve e kombeve, në dobi të interesit më të mirë të tyre si dhe të paqes e bashkëpunimit në rajon”.

Në prani të delegacionit zyrtar austriak, të të ftuarve të nderit dhe anëtarëve të Kabinetit, Presidenti Nishani theksoi se: “është një nder i veçantë që në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, të ofroj në emër të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, në emër të institucioneve të saj, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, nderimin për një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë, për Austrinë, një nga partnerët më të mirë të Shqipërisë, qeverinë austriake, për një nga dashamirësit e shkëlqyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Zëvendëskancelarit austriak Spindelegger”.

Kreu i shtetit vlerësoi historinë e bashkëpunimit dhe e miqësisë midis Shqipërisë dhe Austrisë.
“Austria ka qenë pikërisht pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve në çastet e tyre më të vështira, në çastet e përpjekjeve për mbijetesë dhe ekzistencë. Shqiptarët kanë ndarë me miqtë ditët e vështira, festat dhe gëzimet”.

Duke shprehur mirënjohjen për Urdhrin e lartë, Zëvendëskancelari austriak Michael Spindelegger vuri në dukje: “Për mua është një kënaqësi e veçantë dhe një nder që të jem në këtë sallë kaq të bukur si kjo këtu. Këtë dekoratë e marr me një gëzim të veçantë, por e di që duhet ta marr edhe në emër të shumë njerëzve në Austri që kanë dhënë kontributin e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Shqipëria ka shumë miq në Austri, disa prej të cilëve janë sot edhe këtu. Ne të gjithë së bashku do të punojmë që këto marrëdhënie kaq të mira të mund të thellohen edhe në të ardhmen”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›