E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani dekreton Adriatik Lallën për postin e Kryeprokurorit

03-12-2012 / Gazeta 55

Presidenti, Bujar Nishani ka dekretuar Adriatik Llallën, kreun aktual të ILDKP-së, për postin e kryetarit të ri të Prokurorisë së Përgjithshme. “Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 149.1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 8737 , datë 12.02.2001 “Per organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, dekretoj: Neni 1- Zoti Adriatik Llalla, emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.  Neni 2 Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, citohet në dekretin e publikuar sot në faqen zyrtare të Presidencës.


Por përpos dekretit, kreu i shtetit përmes një relacioni shoqërues për të, parashtron dhe arsyet për një përzgjedhje të tillë. “Me Dekretin Nr. 7840, datë 3.12.2012 kam vendosur të emëroj si Prokuror të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla. Ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prokurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur. Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik”, theksohet në relacionin shoqërues të Presidentit Nishani për dekretimin e Adriatik Llallës si Prokuror i Përgjithshëm. 


Në 20 nëntor kreu i shtetit zhvilloi konsultime me partitë politike, pikërisht për kriteret mbi të cilat do të behet zgjedhja e drejtuesit të ri të organit të akuzës. 


Kreu i ILDKP-së


Pas publikimit të dekretit të Presidentit ku ishte përzgjedhur pikërisht Adriatik Llalla për postin e kryeprokurorit, ka ardhur dhe reagimi i vetë të përzgjedhurit. “Faleminderit për propozimin. Do të vazhdoj të jem bashkëpunues, dua të theksoj se është një përgjegjësi e madhe. Kam marrë urime edhe nga opozita. Unë do të vazhdoj ttë jem në krye të ILDKP-së”, ishte prononcimi i shkurtër për mediat i Llallës.  


Biografia


Adriatik Llalla është zgjedhur Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 09.10.2008 nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dekret datë 14.07.2008. Zoti Llalla ka kryer studimet e Larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Drejtësisë, Titulli Jurist. Në muajin Janar të vitit 1998 ka filluar karrierën profesionale si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje. Më pas u emërua Prokuror në këtë Prokurori detyrë në të cilën punoi nga viti 1999‐2002. Nga viti 2002‐2003 ka punuar si Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në vitin 2003 është emëruar Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier detyrë në të cilën ka punuar deri në vitin 2005. 


Nga viti 2005‐2008 ka punuar si Zv.Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2006  zgjidhet anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe nga viti 2007‐2008 ka qenë Kryetar i Këshillit të Prokurorisë. Më datë 4 Maj të vitit 2010 zgjidhet Kryetar i Rrjetit të Ekspertëve të Integritetit, pjesë e të cilit janë institucionet përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive për shtetet e Evropës Jug‐Lindore dhe disa vende të tjera të Evropës. Në vitin 2011 ka përfunduar Masterin për “Të Drejtë Penale”, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Zoti Llalla ka njohuri shumë të mira në gjuhën angleze.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›