E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani diskuton zhvillimet e Kosovës me kreun e KFOR-it

Ministri, Bujar Nishani takoi sot komandantin e KFOR-it, Giuseppe Gay. Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes Policisë së Shtetit Shqiptar me Shërbimit Policor të Kosovës dhe KFOR-it. 

TIRANE- Ministri i brendshëm, Bujar Nishani ka takuar sot komandantin e KFOR-it, Gjeneral Leitnant Giuseppe Gay. Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes Policisë së Shtetit Shqiptar me Shërbimit Policor të Kosovës dhe KFOR-it.
Gjenerali Gay paraqiti punën e kryer nga KFOR në drejtim të forcimit të rendit e sigurisë publike në Kosovë, mbështetjen ndaj komunitetit dhe ndihmën për ngritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve vendore.
Komandanti i KFOR-it tha se shkalla e tensionit në Kosovë ka njohur një ulje të ndjeshme nga viti në vit, duke përjashtuar disa incidente të vogla ndëretnike, kryesisht në veri të vendit. Ai informoi gjithashtu mbi transformimin dhe ristrukturimin e forcave të sigurisë së Kosovës dhe arritjen e objektivit për përfshirjen në masën 10% të përfaqësuesve të minoritetit në këto forca.
Ndërkaq, Ministri i Brendshëm Nishani siguroi Komandantin e KFOR-it se Shqipëria ashtu si deri më tani do të vijojë të japë kontributin dhe përvojën e saj për konsolidimin e institucioneve të Kosovës.
Nishani garantoi Komandantin e KFOR-it, se Shqipëria do të ofrojë gadishmëri për bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet e Kosovës. (e.n/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›