Nishani emëron Lulon në Kushtetuese. Topalli anulon dekretin e Topit
Gjykatat
Ndryshimet, pas një viti - Në efektin e zgjedhjeve të përgjithshme, mazhoranca e djathtë e ka mbyllur ciklin e mandateve të anëtarëve në gjykata, duke bërë që ato institucione të preken pas një viti
Kuvendi
Komisioni i Ligjeve kalon pa praninë e opozitës dy emrat. Debate për këshilltarin e Topallit
Mandatet - Zaganjori disa ditë më parë u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë. Ndërsa Fatos Lulos i mbaroi mandati në këtë gjykatë
120 mijë euro - Anëtari i Gjykatës së Lartë, Fatos Lulo, rezulton se ka marrë 100 mijë USD dhuratë nga e motra dhe 120 mijë euro dhuratë apartament
BLEDAR HOTI
Në ditët e fundit të mandatit të saj, mazhoranca po ndërmerr nisma për të plotësuar vendet vakante në sistemin e drejtësisë, si në Gjykatën e lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Brenda një dite, me ndihmën e Presidentit, u bë noterizimi i radhës i propozimeve të mazhorancës për emërimin e anëtarit në Gjykatën Kushtetuese, si dhe të kreut të Gjykatës së Lartë. PD-ja ndërmori nismën për të emëruar si anëtar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë një zyrtar të Kuvendit, duke ndjekur precedentin e mëparshëm të kryetares së KQZ-së. Fillimisht në Komisionin Parlamentar të Ligjeve u shqyrtua nisma e 28 deputetëve të PD-së për të caktuar në KLD Lulzim Lelçaj, i cili mban postin e drejtorit të legjislacionit në Kuvend. Opozita e ka cilësuar një kandidaturë qartazi politike, duke shprehur votën kundër. Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, në qëndrimin e tij u shpreh se kandidatura e paraqitur nuk plotëson kriteret ligjore. Duke filluar nga Presidenti i Republikës, me nënkryetarin e KLD-së për të vazhduar me të tjerët dhe sot me kandidaturën e Lulzim Lelçaj, mendoj që KLD vazhdon faktin që ai përfaqëson një politikë të caktuar partiake. Është e kotë të ritheksojmë se ne duhet të diskutonim kandidatura që vijnë nga gjyqësori, jo nga ato që merren me shkresa që qarkullojnë nga gjyqësori, deklaroi Majko. Kryekomisioneri Rusmali replikoi duke theksuar: Siç tregoi jo vetëm dokumentacioni, por edhe shpjegimi i kandidatit, kandidatura e plotëson më së miri kriterin e eksperiencës profesionale. Pas kësaj seance që u mbyll në orën 10:00, Rusmajli njoftoi një mbledhje tjetër në orën 13:30, duke mos bërë të ditur çështjen se për çfarë do të diskutojnë.
Gatimi i emrave në Presidencë
E gjithë vëmendja nga Kuvendi është transferuar te Presidenca, tek emrat që Nishani do të dekretojë për Gjykatën e Lartë apo dhe Gjykatën Kushtetuese. Në drekë, Presidenca njofton që ka dekretuar kreun e Gjykatës së Lartë, anëtarin Xhezair Zaganjori. Më parë Zaganjori, kishte bërë betimin si anëtar i Gjykatës së Lartë. Nishani, njëherësh ka dhuruar dhe surprizën, duke nxjerrë një dekret të dytë për emërimin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Fatos Lulos. Atij i mbaroi mandati si anëtar i Gjykatës së Lartë, e ndërsa propozohet për të qenë në një mandat 9-vjeçar si anëtar i Kushtetueses. Në orën 14:30, është mbledhur Komisioni i Ligjeve. Opozita nuk mori pjesë në shqyrtimin e dy dekreteve të posaçme. Mbledhja ka zgjatur jo më shumë se dhjetë minuta. Pas vetë prezantimit të shkurtër të Fatos Lulos, Rusmali e quajti të mbyllur procedurën, duke mos i hedhur në votim formalisht në komision dy dekretet. Ndërsa për emrin e propozuar për kryetar gjykate, Rusmali theksoi se për emrin e Zaganjorit, komisioni e ka kryer procedurën e seancës dëgjimore. Rusmali bëri të ditur se dekretet do të kalojnë për votim në seancën e sotme plenare. Por kjo nuk mund të realizohet, pasi sipas procedurës kuvendore, kandidatura nuk mund të kalohet në votim pa kaluar 48 orë nga marrja e vendimit të Komisionit të Ligjeve.
Topalli injoron dekretin e Topit
Presidenti njofton se Lulo propozohet në Kuvend pas shkresës që Topalli i ka drejtuar atij, se dekreti i paraardhësit, Topi, është nul. Me shkresën nr. prot.824, datë 22.04.2013 të dërguar nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, duke konsideruar të ezauruar dekretin për emërimin e z. Artan Hoxha, kërkohet dërgimi i një kandidature të re, e cila të plotësojë kriteret kushtetuese dhe ato të meritës, thuhet në argumentin e Presidencës. Kjo ka bërë tashmë që Kuvendi të mbajë në sirtar dekretin e presidentit Topi, edhe pse nuk ka një vendim të argumentuar nga Këshilli i Legjislacionit.
Vota e LSI-së
Kuvendi duhet të japë pëlqimin për dy dekretet e Nishanit, për kreun e Gjykatës së Lartë dhe për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. LSI-ja përpara ikjes nga koalicioni qeveritar votoi pro caktimit të Zaganjorit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Pritet të verifikohet nëse LSI-ja do të votojë kësaj here pro sërish ndaj emrit të cilit e propozoi për postin e presidentit, Zaganjorit.
ILDKP
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive pati shprehur shqetësim për format e dhurimit të pasurive
Fatos Lulo është ndër gjyqtarët më të pasur në Shqipëri. Këtë gjë e fakton Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive në shkresën e paraqitur në Kuvend. Lulo ka marrë dhuratë nga e motra një apartament me sipërfaqe prej 172 m², në një vlerë prej 120.000 eurosh në Tiranë. Ndërsa në vitin 2008, sipas ILDKP-së ka marrë nga e motra një shumë të konsiderueshme në vlerën e 100 mijë dollarëve amerikanë. Ndërkohë që disponon një apartament banimi 109 m², i blerë në vlerën e 9.3 milionë lekëve, ambient zyre me sipërfaqe 74 m², në vlerën e 13.800.000 lekë. Gjithashtu ai disponon një pikturë në një vlerë që shkon në 50 milionë lekë të vjetra; kursime vjetore familjare në vlerën e 1 milion lekëve. E motra e tij, i ka dhuruar cash dhe shumën prej 8.791.000 lekësh. Pasuria e gjykatësit Lulo ka qenë një shqetësim dhe për kreun e asaj kohe të ILDKP-së, Adriatik Llalla. Në një intervistë të tij, Llalla shprehu dyshime për këto pasuri të zyrtarëve të lartë.
Reagimet
Opozita kundërshton ashpër: Masakra e fundit ndaj shtetit
Sajmir Tahiri
Socialisti në reagimin e tij ka cilësuar nismat e PD-së dhe presidentit si masakra e fundit e shtetit ndaj drejtësisë shqiptare
Sipas deputetit të PS-së, këto nisma janë për uzurpimin politik të Gjykatës Kushtetuese dhe KLD
Deputeti i PS-së, anëtari i Komisionit të Ligjeve, Sajmir Tahiri, reagoi ashpër ndaj këtyre nismave të PD-së dhe presidentit. Masakra e shtetit dhe drejtësisë, kjo është! Sali Berisha po konsumon aktin e fundit me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Emërimet e fundit janë shenja më e qartë se si kosto për pushtetin, qytetarët duhet të paguajnë uzurpimin politik të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Lulzim Lelçaj është pigmenti i Jozefinës në Kuvend, dhe sot po e çon në KLD. Pas Lefterie Lleshit, ish-këshilltare e Jozefinës, pas Vera Shtjefnit (gruaja e Lulzim Lelçajt) që Jozefina e çoi në KQZ, tani Lulzimi na kapërcen në KLD. Turp! Dhe po kaq turp emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Pushteti po akaparon gjyqësorin, po mban peng drejtësinë, po politizon gjykatat dhe po dërrmon shtetin ligjor. Masakra e shtetit dhe drejtësisë kjo është!, shkruan socialisti Tahiri në Facebook.
Erjon Braçe
Deputeti socialist shkruan se kjo është një shembje e sistemit të drejtësisë, duke mos e futur në proces votimi të dekretit të presidentit Topi