Nishani me presidentin gjerman: Do zhvillojmë zgjedhje me standarde
Berlin- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka zhvilluar sot një takim me homologun e tij gjerman Joachim Gauck dhe kryetarin e Parlamentit gjerman, Norbert Lammer ku është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Kjo bisedë ka ardhur në sajë të ftesës që i është bërë Nishanit, për të marrë pjesë në Takimin e 18-të Ndërkombëtar të Berlinit. Presidenti shqiptar e ka vënë theksin edhe tek situata aktuale politike në vend, duke thënë se vendi ynë ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të siguruar integrimin evropian.
Kreu i shtetit e ka konsideruar si mjaft të rëndësishëm mundësinë e rritjes së marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve dhe rolin e rëndësishëm për rritjen e imazhit të Shqipërisë në raport me rritjen e investimeve direkte gjermane në Shqipëri si një faktor i rëndësishëm i forcimit të mëtejshëm të marrdhënieve midis dy vendeve tona.
Nishani ka theksuar edhe rëndësinë dhe seriozitetin që shteti shqiptar dhe institucionet e tij i japin marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet fqinje në rrugëtimin e tyre të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Ne e shohim Ballkanin Perëndimor si pjesë natyrale të Evropës. Shqipëria ka patur dhe do të vijojë të ketë një përqasje konstruktive për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne besojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një rrugë të vetme karshi të ardhmes dhe ajo është arritja e standarteve dhe integrimi i vendeve tona në Bashkimin Evropian. Padyshim që ky është një proces i cili kërkon kohën e tij të arrihet, por ne jemi të vendosur për të ecur përpara në këtë drejtim,- tha ai.