E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shmang ekstradimin nga Anglia: Më përndjekin myslimanët

• Pas sprovës së fitimit të azilit në Britaninë e Madhe duke u hequr si homoseksualë të persekutuar, emigrantët shqiptarë shënojnë një tjetër precedent të pabesueshëm.FERDINAND DERVISHIKëtë radhë një tjetër emigrant, Frrok Koçeku, banor në Lurë të Dibrës, i dënuar me 15 vite burg për vrasje të kryer në vitin 1996, arrin të bindë trupin gjykues se ai nuk duhet të ekstradohet në Shqipëri me justifikimin gjenial: “Familja ime e përkatësisë fetare kristiane persekutohet nga muslimanët që përbëjnë shumicën”. Ky argumentim i ardhur krejt pa prova, por i shoqëruar me lotë dhe justifikime të ngjashme, ka anuar përfundimisht peshoren e drejtësisë angleze e cila ka vënë dorën në zemër për emigrantin duke i refuzuar ekstradimin drejt “një vendi ku nuk garantohen të drejtat me elementare të njeriut”. Vendimi i nënshkruar nga gjykatësi Quetin Purdy më 17 janar të këtij viti, një kopje të të cilit gazeta “Panorama” arriti të sigurojë përmes ministrisë së Drejtësisë, duhet të apelohet nga shteti shqiptar brenda dy javësh. Ndërkaq një jurist anglez, që përfaqëson Shqipërinë në gjyq, megjithë verifikimet e bëra me ndihmën e strukturave tona të drejtësisë, nuk mundi të shmangë alibinë e ish-mësuesit nga Lura, të dënuar për vrasje. Ajo thjesht ishte një vepër arti e përpunuar me kujdes për të prekur zemrat e gjykatësve, të cilët vendosën, pothuaj pa kërkuar asgjë të provueshme në fjalët e emigrantit të arrestuar për llogari të Interpol Tiranës.Mbrojtja e shkëlqyerSipas vendimit të gjykatësit Quetin Purdy, esktradimi nuk mund të quhej i ligjshëm pasi ngjarja ka për të cilën Koçeku akuzohet ka ndodhur 11 vjet më parë dhe rrjedhimisht kërkesa e Qeverisë Shqiptare për ekstradim është e vonuar. Më tej vitet e kaluara në Londër, ndërtimi i një familjeje perfekte e të dhëna të ngjashme janë konsideruar nga gjykatësi si të tjera argumente për të mohuar ekstradimin. Në vazhdim vjen edhe argumenti më i fortë i sjell nga mbrojtësi ligjor i Koçekut. Sipas tij familja Koçeku është e vetmja familje e besimit kristian (katolik) në Lurë, zotëruese e shumë pronave dhe si e tillë është persekutuar sistematikisht nga muslimanët ziliqarë të zonës. Madje këta me përdhunë i kishin rrëmbyer shumë prona ndërsa të tjera ia kishin shkatërruar. Si rast më të freskët mbrojtja kishte sjellë faktin e djegies së rreth 300 hektarëve pyje në Parkun Kombëtar të Lurës, përgjatë verës së shkuar, 2007, të gjitha prona të familjes Koçeku. Pranë këtyre argumenteve ishte renditur edhe fakti i ndërtimit të një hidrocentrali nga italianët në një nga liqenet e Lurës. Sipas mbrojtjes, vepra energjetike po ndërtohej padrejtësisht mbi pronat e emigrantit Koçeku. Për këtë padrejtësi vetë klienti i tij kishte telefonuar në Ambasadën Italiane në Tiranë.Po kështu, sipas mbrojtësit të emigranti shqiptar, regjimi politik në Shqipëri që vazhdon persekutimin ndaj familjes i ka hequr klientit të tij Frrok Koçeku nënën nga puna si pastruese në spitalin e Lurës dhe më tej, vëllait të tij, ushtarak, i kishin ndërprerë rrogën. Në fund të mbrojtjes, avokati ka shtuar si argument edhe pretendimin se i dënuar në mungesë, klienti i tij, në rast se do të ekstradohej, nuk do të rigjykohej nga drejtësia shqiptare, duke e konsideruar këtë si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Përfundimisht gjykatësi anglez, argumentet e sjella nga mbrojtja i vlerëson si më të besueshme se pretendimet e juristit që përfaqësonte shtetin Shqiptar. Në fund të vendimit të tij, që rrëzon kërkesën e shtetit shqiptar për ekstradim, shkruhet: “E shkarkoj nga përgjegjësia për të ekstraduar zotin Koçeku në Shqipëri duke u bazuar në kohën që ka kaluar që nga ndodhja e krimit, të drejtat e njeriut dhe çështjen e rigjykimit. Jam i pasigurt që kjo gjykatë të vendosë se garancia e Qeverisë Shqiptare për rigjykimin e tij, nëse ekstradohet, do të zbatohet.” Shteti shqiptarDrejtësia shqiptare, me ndihmën e Interpolit arriti ta arrestonte më 6 shtator 2006 Frrok Koçekun në Londër pasi ai rezultonte i dënuar me 15 vite heqje lirie në mungesë për vrasjen më 1996 të një bashkëfshatari të vet, të quajtur Besim Buci. Shqyrtimi i kërkesës së Drejtësisë shqiptare është duke u bërë në gjykatën Westminster Magistrate Court në Londër. Juristi anglez Marks Weeks, përfaqësuesi i shtetit shqiptar në këtë proces, ka pasur të gjithë aksesin e marrjes nga Shqipëria të dokumenteve që të hidhin poshtë pretendimet qoftë të dyshimta, qoftë të gënjeshtërta të të arrestuarit me qëllim ekstradimi. Porse së pari gjykatësi Purdy nuk ka marrë në konsideratë faktin e servirur nga juristi Marks Weeks sipas të cilit në vitin 1998, Kur Koçeku kishte mbërritur në Angli, kishte aplikuar për azil duke u hequr si kosovar dhe me emër e mbiemër të ndryshëm. Po kështu gjykatësi nuk ka marrë parasysh faktin se Koçeku paraqiti pranë gjykatës disa dokumente të falsifikuara për aplikim për pajisje me pasaportë ndërkombëtare në Shqipëri. Sipas Koçekut ai kishte aplikuar me këto dokumente pas vrasjes, në vitin 1997, dhe rezultonte me dëshmi penaliteti të pastër. Të njëjtat dokumente, pas verifikimeve të bëra nga juristi që përfaqëson shtetin shqiptar, dolën se ishin false, por gjykatësi nuk e mori parasysh edhe këtë fakt. Nuk dihet nëse juristi pati apo nuk pati kohë të vërtetonte pretendimet e Koçekut për persekutimin e familjes së tij nga muslimanët e të tjera të ngjashme, porse gjykata duket e ka parë të arsyeshme ndërkohë të marrë një vendim mosekstradimi. Pjesa e mbetur e kësaj historie mbetet për tu mësuar më 1 shkurt, pak ditë më pas, kur të vërtetohet nëse shteti shqiptar e ka apeluar këtë vendim, apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›