Nishani pret partitë politike, zgjedhjet më 23 Qershor 2013? (FOTO)
Tiranë- Dita e sotme shënoi fillimet e bisedimeve mes presidentit Nishani dhe krerëve të grupeve parlamentare të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme të 2013-ës.
Rreth orës 10:00 ka nisur takimi i parashikuar ndërmjet presiderntit dhe kreut të grupit parlamentar Demokrat Astrit Patozi. Kanë mjaftuar vetëm 30 minuta që të mbahet diskutimi mes tyre për caktimin e datës së zgjedhjeve paralamentare vitin që vjen.
Menjëherë pas takimit, janë zbardhur edhe detaje e tij. Mësohet se Patozi nuk ka propozuar asnjë datë për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Ai ka deklaruar se “Jemi të hapur për datën që do të vendoset. Për ne, suksesi nuk është i varur nga data”,- tha Patozi. Mësohet se më e mundshme është mbajtja e zgjedhjeve në javën e parafundit të qershorit, më datën 23.

Presidenti Nishani dhe deputeti demokrat Patozi
Pas disa minutash nga përfundimi i takimit të parë me Patozin, rreth orës 10:56, në selinë e presidencës u ngjit kreu i grupit paralmentar të PS-së Gramoz Ruçin. Takimi mes tyre ka zgjatur vetëm 25 mintua.
Në detajet e takimit mes tyre mësohet se edhe Ruçi nuk ka propozuar asnjë datë pwr mbajtjen e zgjedhjeve, por ka kërkuar që të dekretohet sa më shpejt që të jetë e mundur kjo datë. Kjo me qëllim nisjen e punës nga KQZ-ja.

Presidenti Nishani dhe deputeti socialist Ruçi
Pas këtij takimi bëhet edhe më i mundshëm caktimi i datës 23 qershor për ditën kur do të zgjidhet kryeministri i ri i Shqipërisë. Në përfundim të takimit me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, është shprehur edhe një datë e kërkuar nga kjo forcë politike për mbajtjen e zgjedhjeve. Koka i ka kërkuar Nishanit të dekretojë datën 23 qershor si datë zgjedhjesh sepse është e nevojshme që deri atëherë të përgatitet infrastuktura e nevojshme.

Presidenti Nishani me përfaqësuesin e LSI-së, Lefter Koka
Rreth orës 13:00 në zyrën e presidentit rradha e takimit i erdhi kreut të partisë Republikane Fatmir Mediu. Fatmir Mediu ka konfirmuar më herët se do të kërkojë datë 23 për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Presidenti Nishani me kreun e PR-së, Fatmir Mediu
Ndërkohë paraprakisht është njoftuar edhe nga kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule se 23 qershori është data që do të kërkohet prej tyre për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.
Në orën 14:20 ka përfunduar edhe takimi me nënkryetarin i PBDNJ-së Thanas Poçi i cili në një deklaratë për mediat ka deklaruar se forca politike që ai përfaqëson kërkon 23 qershorin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vitin e ardhshëm. I pyetur nga mediat se a është vendosur përfundimisht 23 qershori si data e zgjedhjeve, Poçi tha se datën e vendos vetëm presidenti pas konsultimeve.
Ndërkohë në orën 15:00 u zhvillua takimi i fundit i presidentit Nishani me përfaqëauesit e partive politike. Ai bisedoi me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi, propozimet e të cilit kanë qenë të ngjashme me partitë e tjera.

Presidenti Nishani dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi
Në orën 16:00 u njoftua se presidenti Bujar Nishani do të takohet me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi në ambjentet e presidencës. Ky takim vjen një orë pasi presidenti mbyll takimet me krerët e partive parlamentare për të caktuar datën e zgjedhjeve parlamanetare të 2013-ës.
E vetmja parti e cila nuk është ftuar në tryezën e diskutimeve për datën e zgjedhjeve është Fryma e Re Demokratike, dhe përfqqësuesi i saj, Gazmend Oketa çka ka sjellë edhe reagimin e këtij të fundit, duke e quajtur mosftesën nga presidenti Nishani, frikë për rezultatin e zgjedhjeve ndaj kësaj partie.
Kodi zgjedhor parashikon dy periudha për zhvillimin e zgjedhjeve, në mars-qershor dhe në shtator-nëntor.
Sipas nenit 8 të ligjit zgjedhor: “Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”.
Ndërsa në pikën 1, neni 9 të kodit thuhet se “data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit”
Legjislatura aktuale e Kuvendit ka nisur më 6 shtator dhe 6 shtatori 2013 shënon mbarimin e mandatit të parlamentit. Sipas Kodit zgjedhor, Presidenti i Republikës duhet të caktojë datën e zgjedhjeve brenda 6 dhjetorit.
/IDEA/