Nishani shkarkon gjeneralin e propozuar për president nga Ismail Kadare. Lleshi: Jam skandalizuar!
Presidenti Bujar Nishani ka urdhëruar shkarkimin nga detyra të gjeneral Sandër Lleshit.
Vendimi i presidentit Nishani është zyrtarizuar me një dekret që mban datën 21 maj.
Sipas informacioneve që disponon gazeta TemA, dekreti i presidentit është dy rreshta dhe në të nuk ka asnjë argument përse shkarkohet nga detyra e zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
I vetmi argument në dekretin presidencial është se z.Lleshi, i propozuar nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare për president, lirohet nga detyra.
Mësohet se gjenerali ka marrë dekretin e shkarkimit të tij thuajse në rrugë informale, kurse në faqen zyrtare të presidencës është e pamundur të gjesh dekretin që shkarkon zyrtarin e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Vetë gjenerali, i kontaktuar nga TemA, thotë se është ndjerë i çuditur mbi dekretin që urdhëron shkarkimin e tij.
Po është e vërtetë që Presidenti i Republikës ka nxjerrë një dekret, nëpërmjet të cilit urdhërohet lirimi im nga detyre. E vërteta është se më ketë dekret unë jam njohur në mënyrë jozyrtare, thuajse në rrugë informale. Nuk di çtë them. Jam krejtësisht i habitur për sa ka ndodhur. Veç faktit se ekziston një dekret i tillë, nuk mund të them asnjë tjetër. Në të nuk ka asnjë argument përse për lirojnë nga funksionet e mina në Ministrinë e Mbrojtjes, tha për TemA-n, gjenerali Sandër Lleshi.
Kush është Sandër Lleshi
Prej vitit 2010 mban postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake Skënderbej.
Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani.
Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake Skënderbej dhe Akademinë Ushtarake.
Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani.
Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani.
Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.
