E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani vijon vizitën në Bruksel, takohet me komisionerin Fyle

Kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani vijon sot ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel. Presidenti Nishani do të takohet sot me Komisionerin Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin do të japë edhe një konferencë për shtyp.
 

Gjithashtu, Presidenti Nishani do të pritet nga Kryebashkiaku i Sharbeekut, Bernard Clerfayt dhe më pas do të zhvillojë në Universitetin e Lirë të Brukselit, në orën 18.00 një takim me përfaqësues të Bashkisisë Shqiptare.
 

Ndërsa nesër, Kryetari i Shtetit Shqiptar pritet të përmbyllë vizitën e tij në Bruksel me një takim me Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton.
 

Ndërkohë ditën e djeshme, presidenti Nishani u takua me Presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy dhe me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
 

Zyrtarët e lartë europianë i përsëritën kreut të shtetit apelin se integrimi evropian duhet të jetë një përpjekje reale kombëtare, një projekt gjithpërfshirës dhe se për suksesin e vendit është thelbësor një dialog politik i qëndrueshëm dhe konstruktiv.
 

Kjo vizitë zyrtare e Kryetarit të Shtetit në Bruksel po zhvillohet në prag të publikimit nga Komisioni Evropian të Raport progresit për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›