E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet në lumë fëmija 11 vjeç

Berat

Një fëmijë 11-vjeçar nga fshati Gajdë i rrethit të Beratit është larguar nga banesa pa lënë gjurmë, ndërkohë që kërkimet janë përqendruar në lumin Seman, pasi dyshohet se fëmija është mbytur në lumë. Gjergji Kalemasi, banor i fshatit Gajdë në Komunën Poshnjë, mësohet se është larguar nga banesa rreth orës 18.00 të pasdites së të enjtes. Familjarët janë vënë në alarm dhe kanë nisur kërkimet. Babai i tij, Shahini, deklaroi se ndodhej në punë në kohën që është njoftuar nga familjarët se djali nuk ishte kthyer në banesë. Vogëlushi kishte dalë për të luajtur me shokët e tij dhe sipas të atit nuk është kthyer më në shtëpi. Disa bashkëmoshatarë të tij kanë pohuar se Gjergji kishte shkuar për t’u larë në lumin Seman, që kalon pranë fshatit. Pas disa orësh kërkime pa sukses, familjarët kanë njoftuar Policinë e Beratit, që ka dërguar në fshat një numër efektivesh, të cilët janë angazhuar në operacione kërkimi. Nga kërkimet në vendin e ngjarjes, në dalje të fshatit Gajdë buzë lumit Seman ku bashkohen dy lumenjtë Osum dhe Devoll, policia ka gjetur sendet personale të vogëlushit, shapkat dhe bluzën e tij, çka ka bërë që policia t’i përqendrojë hetimet pikërisht në lumë.

Kërkimet për gjetjen e vogëlushit kanë vazhduar nga familjarët, banorë të zonës, si dhe forca të policisë deri në orët e vona të së enjtes dhe kanë vazhduar mëngjesin e së premtes, kur në operacion janë përfshirë edhe palombarët. Por, vetëm pasdite, trupi është gjetur anës lumit Seman, jo nga palombarët, por nga disa banorë të fshatit Kallm të Fierit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›