Nisin konsultimet për strategjinë ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni ka nisur konsultimet publike për Draftin e Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike.
Ministrja Pirdeni në takimin e mbajtur sot renditi 5 shtyllat që pasqyrojnë qëllimet e politikave përmes të cilave synohet të jetëzohet vizioni i strategjisë
Vizioni i strategjisë ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2024-2030 është konsolidimi i një administratë publike profesionale, efikase, inovative dhe e motivuar, që vepron në përputhje me standardet evropiane dhe parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe që ka aftësinë dhe mjetet e nevojshme në dispozicion për ta përgatitur Shqipërinë për procesin historik të aderimit në Bashkimin Evropian.
Në draftstrategjinë ndërsektoriale për reformën në administratën publike të hedhur për konsultim publik, parashikohen disa ndryshime lidhur me aspektin financiar të punonjësve, duke synuar motivimin e tyre përmes shpërblimeve financiare në bazë të performancës në punë.
Procesi i vlerësimit të performancës individuale të nëpunësve do të rishikohet dhe do të zbatohet praktikisht, duke u harmonizuar me objektivat e përgjithshme të performancës institucionale.
Një tjetër element do të jetë kombinimi i punës nga zyra dhe shtëpia për pozicione të caktuara në administratë me qëllim për të përmirësuar balancën punë-jetë, veçanërisht për prindërit, duke u mundësuar atyre përshtatjen e orarit të punës me shkollat, kopshtet apo çerdhet e fëmijëve.
Gjithashtu, do të vijohet me konsolidimin e punës fleksibël që është në zbatim prej gushtit 2024, si një mekanizëm i rregullt dhe lehtësisht i aplikueshëm që synon balancën më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj personale për nëpunësit publikë.
Në po të njëjtin drejtim, do të vlerësohet edhe mundësia për të minimizuar orarin e punës për disa institucione/pozicione specifike, me qëllim tërheqjen e personave nga sektori privat që nuk mund të punësohen me kohë të plotë në administratë, si dhe të kategorive të tjera të personave që nuk mund të angazhohen sipas orarit standard.
Drafti i Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike u hartua në bashkëpunim me projektin EU4 Good Governance. /j.p/
1 nga 4