Nisin punën në terren njësitë e lëvizshme dentare, përfitojnë 240 mijë fëmijë

Dy kabinetet dentare të lëvizshme për kujdesin e shëndetit oral të fëmijëve në shkolla, kanë nisur punën në terren .
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër depistimin e fëmijëve për kujdesin e shëndetit oral.
Ajo tha se programet prekin direkt mbi 240 mijë fëmijë të grupmoshës nga 6-14 vjeç.
Njësitë e lëvizshme të dentistrisë kanë pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë dhe do të shërbejnë si kabinete dentare të lëvizshme për nxënësit e shkollave, kryesisht në zonat rurale.
Përgjatë viti 2021-2022 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka investuar në strukturat e kujdesit të arsimit parauniversitar me 19 njësi të reja dentare, ku 10 prej tyre u instaluan në Tiranë dhe të tjerat në tre qarqe, Elbasan, Durrës dhe Shkodër.
Edhe këtë vit, MSHMS do të vijojë investimet në shkolla për të zgjeruar bazën e njësive dentare me unite të reja në të gjithë Shqipërinë.
/ rtsh.al /