Zanatet drejt zhdukjes, Vehip Gagani, samarxhiu që trashëgoi zanatin si traditë familjare

Ky është Vehip Gagani, samarxhiu i vetëm që ka mbetur në tregun e mjeshtrive tradicionale në pazarin e Gjirokastrës. Ai trashëgoi nga gjyshi, jo vetëm zanatin e mbathësit të kuajve, që në gjuhën e zanatçinjve njihet me emrin Nallban, por edhe emrin e tij.
Mjeshtri sjell zanafillën e zanatit që anonte herë herë nga Nallbani e herë nga samarxhiu por që mbijetuan e u harmonizuan mjaft natyrshëm si dy zeje që po mbushin shekullin nga brezi në brez.
Pas viteve ‘90 pasi shumë sektorë shtetëror shkuan drejt privatizimit, ai hapi punishten e tij në shërbim të kuajve, kafshës që i qëndron shumë afër njeriut dhe i ka shërbyer përgjatë gjithë udhëtimit të tyre të përbashkët.
Samarxhiu me gjilpërë në dorë e me çekiç tregon se e dashuron zanatin e tij dhe se ai nuk është i vështirë. Cilësia nis tek sigurimi i lëndës së parë për samarët që sigurohet nga pyjet e zonës.
Mjeshtër Vehipi e ka krijuar prej dekadash rutinën e tij të punës që nga mëngjesi deri kur mbyll punishten e tij. Një ditë që pret e përcjell klientët që vijnë kryesisht nga fshatrat por edhe ata që kanë pasion kalërimin.
/rtsh.al/