Veliaj me operatorët e transportit, pritja në stacione të shkojë në 3 minuta për të gjitha linjat

Bashkia e Tiranës po harton një plan 5-vjeçar për transformimin e mëtejshëm të transportit publik në Tiranë. Kjo u bë e ditur gjatë takimit të martën mes kryebashkiakut Erion Veliaj me përfaqësuesit e shoqatës së transportit.
Zoti Veliaj u shpreh për transformim të shërbimit të transportit publik në këto tetë vite falë bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe operatorëve private. “Në Tiranë kemi shkuar në 375 km mbulim, nga 169 km që kishim. Linjat rrethqytetase kemi pasur vetëm 8, sot janë dyfishuar, kemi 17 linja ndërqytetase” u shpreh kryebashkiaku.
Në Tiranë është rritur edhe flota e mjeteve. “Vetëm në linjat ndërqytetase kemi kaluar nga 55 mjete në 110 mjete” tha zoti Veliaj. Sipas tij kjo ka sjellë uljen e kohës së pritjes së qytetarëve në stacion nga 37 minuta që ishte më parë, sot mesatarja është 7 minuta.
Por për zotin Veliaj “Është ende larg, nuk është akoma aty ku duhet të jetë, megjithatë është prapë dita me natën nga çka ka qene, nga 37 minuta në 7 minuta”.
Kreu i bashkisë shtoi se, synimi është që koha e pritjes në stacione të shkojë në 3 minuta për të gjitha linjat.
/ rtsh.al /