Nisin punimet në dy segmente të “Tiranë-Elbasan”

Punimet për këto segmente do të realizohen nga firma Jv Copri Construction & AKTOR S.A” dhe do të financohen nga buxheti i shtetit, Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Abu Dhabi.
Kryeministri Sali Berisha, ishte i pranishëm në këtë rast, ku u shpreh se kjo autostradë së bashku me tunelin përbën autostradën me impaktin më të madh për qytetarët shqiptarë, si dhe veprën më të rëndësishme në infrastrukturën “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Kryeministri tha se vetëm një infrastrukturë moderne do të kthejë pasuritë e këtij vendi në vlera të mëdha zhvillimore për mbarë qytetarët shqiptarë. Kryeministri Berisha informoi se javët që vijnë do të inaugurohet fillimi i punimeve në të gjitha segmentet e rrugës, të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë, duke bërë kështu që Korça dhe e tërë Shqipëria Juglindore të arrijë Tiranën në një kohë 70 % më të shkurtër, sesa para ndërtimit të kësaj infrastrukture.
“Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan dhe Elbasan- Korçë, në segmentin Qukës-Qaf Plloçë është dëshmi e kristaltë e performancës ekonomike të Shqipërisë, e forcës ekonomike të këtij vendi” u shpreh kryeministri.
Autostrada Tiranë-Elbasan, arteria kryesore e Korridorit 8, është një rrugë me standarde të larta. Me gjatësi 31 kilometra përfshirë edhe tunelin, gjerësi 28,2 metra, kjo rrugë ka 6 korsi, 1,7 kilometra ura dhe vijadukte, si dhe shumë mbikalime dhe nënkalime. Autostrada do të shkurtojë distancën me Tiranën me më shumë se 50 %, duke shkurtuar me 40 % kohën e udhëtimit.
Kjo distancë shkurtohet gjithashtu për të gjithë qytetet pas Elbasanit, në drejtim te Korçës dhe Ersekës apo doganave respektive dhe per keto qytete do te shkurtoje kohën e udhëtimit deri ne 60%, krahasuar me atë qe behet sot. Gjithashtu rruga shkurton me 1 orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit.
Projekti i Autostradës Tiranë-Elbasan është realizuar mbi bazë të një studimi të kujdesshëm nga pikëpamja e sigurisë dhe mjedisit, i cili ndër të tjera parashikon që të ripërtërijë pyjet që dëmtohen për shkak të ndërtimit të rrugës, nëpërmjet mbjelljes së mijëra rrënjëve dru. Në pjesët ku rruga intersekton lumenjtë, kryesisht Lumin e Kushes është marre parasysh dhe sistemimi i tyre. Keshtu që me këtë projekt Elbasani përfiton dhe një projekt të dytë atë të sistemimit tokave dhe ndalimit te gërryerjeve për shkak të këtij lumi, i cili shumë herë ka sjellë probleme për tokat apo dhe ndërprerjen e rrugës së fshatrave. Së bashku me Kryeministrin ishin të pranishëm në këtë fillim punimesh, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, zoti Sokol Olladashi, autoritete të pushtetit vendor, etj. /Start/
2012-04-23 16:44