Nisin punimet ne rrugen Hasan Sufa
Bashkia e Tiranës ka nisur punimet në një tjetër aks rrugor i cili do të ndikojë në lehtësimin e trafikut.
Me një fond prej rreth 40 milionë lekësh kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës “Hasan Sufa” (tek Bryli). Ky segment i ri rrugor i cili përfundon në muajin tetor do të lidh unazën, Bulevardi “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi”.
Ndërtimi i kësaj rruge do të çlirojë trafikun, do të ulë koston dhe do të reduktojë nivelin e ndotjes. Rruga tërësisht e re do të ketë një gjatësi prej 312 metrash me një gjërësi prej 15 metrash. Në dy anët e rrugës janë parashikuar xhepa parkimi me gjerësi 2 m. Trotuaret do të kenë gjerësi 2,5 metra.
Zonat e gjelbërta do të shtrihen në hapësirat midis godinave të banimit dhe trotuarëve. Përgjatë rrugës do të ketë ndriçim si dhe do të ndërtohet i gjithë rrjeti i nevojshëm i Ujësjellësit, kanalizime të ujrave të bardha e të zeza.
Nisja e punimeve është paraprirë nga shpronësimet e tokës dhe shtëpive dhe objekteve të tjera që preken nga ndërtimi i kësaj rruge.
Me një fond prej 122.7 milionë lekësh janë shpronësuar 11 familje si dhe 2 të tjera pritet të konfirmojnë dokumentacionin e plotë.
Shpronësimet janë bërë me vlerën e tregut sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga ZRPP.
Sipas Bashkisë së Tiranës krahas vendosmërisë për të ndërtuar dhe rikonstruktuar infrastrukturën e qytetit do të respektohet çdo pronar duke i kompensuar për çdo centimetër tokë të prekur nga investimet publike.