Nisin rregjistirmet për studimet part-time, mesatarja kriteri kryesor
Tiranë- Janë çelur procedurat për rregjistrimet e kandidatëve që duan të vijojnë studimet e larta part-time, ndërkohë që kriter për shpalljen e fituesve është vënë mesatarja.
Sipas procedurës, kandidatët e interesuar duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore që të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara, brenda datës 10 tetor, kohë në të cilën do të mbyllen aplikimet për pranimet në studimet part-time si fakultet i parë ose i dytë.
Si pasojë e fluksit të lartë të kërkesave për studimet part-time, mesatarja do të jetë kriteri kryesor që do të përdoret për seleksionimin e fituesve. Ndërkohë që universitete të caktuara, krahas aplikimeve me dosje dhe mesatares, do të përdorin edhe kritere të veçanta pranimi, siç mund të jenë konkurset specifike në degët e sporteve.
Nëse kandidati për student nuk ka diplomën e maturës shtetërore apo dëftesën e pjekurisë duhet të paraqesë një dublikatë të saj të vulosur nga zyrat dhe drejtoritë arsimore, të shoqëruar dhe nga vërtetimi i AKP-së për notat kaluese të mara në provimet me zgjedhje. Ndërsa kandidatët që kanë si program të dytë studimi, duhet të dorëzojë edhe kopjen e diplomës së fituar në fakultetin përkatës.
Lista e aplikantëve fitues do të publikohet brenda orës 16:00 të datës 15 tetor, ndërsa për regjistrimin e fituesve janë përcaktuar datat nga 16 tetor deri më 21 tetor.
/IDEA/