E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin shfaqjet në Teatrin e Metropolit

TIRANË- Teatri i Metropolit, që prej ditës së nesërme, hap dyert për publikun kryeqytetas, me shfaqje që do të startojnë sezonin artistik të këtij viti.

Ky i fundit do të fillojë me të qeshurat e komedisë "S’ka burrë që tradhëton gruan time" nga Milto Kutali. Guri Koço, Armela Demaj, Florian Agalliu janë tre personazhet që do të sjellin veprën e autorëve Samuel Bobrick dhe Ron Clark në datat 5, 6, 7 dhe 8 janar, ora 19:00, në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit.

Në javën e dytë të janarit rikthehet tragjedia e Lorkës "Shtëpia e Bernarda Albës" nga regjisori Kiço Londo. Drama e grave në një fshat të Spanjës është një vepër që prek tema të mëdha, si ajo e lirisë, dhunës, shtypjes seksuale, e rolit të gruas, etj. Me protagonistë Luiza Xhuvanin dhe aktore të tjera Roza Anagnosti, Adriana Tolka, Esela Pysqyli, Taulanta Jupi, etj, vepra do të përcjellë dramën e mungesës së lirisë dhe pasionit.

Shfaqjet rifillojnë edhe për spektatorin e vogël. Në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit, do të rikthehet “Tomi, Xherri dhe Spajku, në datat 7 dhe 14 janar, ora 10:30, ndërsa në datat 8 dhe 15 janar “Maçoku me çizme”.
Që prej kësaj fundjave e në vazhdim, edhe Cirku i Metropolit do të rikthehet me premierën e fundvitit që shkoi, “Thesaret e Cirkut".
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›