E Diel, 1 Nëntor 2026

Virozat, ISHP: 14 000 raste të regjistruara në vend

TIRANË- Temperaturat e ulëta në vend kanë ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa më të prekur janë fëmijët. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik flasin për rreth 14 000 raste me viroza stinore në të gjithë vendin, prej të cilëve pjesa e madhe i përkasin simptomave të infeksioneve respiratorë të sipërme. Ndërkohë, vihet re se aktiviteti gripal paraqitet brenda aktivitetit sezonal.

Ndërkohë të dhënat nga Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë flasin se pranë kësaj qendre paraqiten çdo ditë rreth 500 raste me simptoma të viruseve stinore. Rreth 320 fëmijë në ditë paraqiten pranë Urgjencës së Pediatrisë, ndërsa mjekët pediatër thonë se viroza e kësaj stine shoqërohet me temperaturë, kollë, të vjella dhe diarre. Por kujdes, sipas mjekëve, duhet të bëjnë dhe të sëmurët kronikë, të cilët rekomandohet të marrin vaksinën. Nga të dhënat e QSUT bëhet e ditur se në shërbimin kardiak paraqiten çdo ditë rreth 100 pacientë me viroza stinore dhe rreth 80 në shërbimin e Infektivit.

Nisur nga qarkullimi i virusit në vend, strukturat shëndetësore apelojnë për aplikimin e vaksinës antigrip, veçanërisht grupet më në rrisk, si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzanë, të sëmurët kronikë, etj.

Nga ana e tyre mjekët këshillojnë marrjen e vaksinës antigrip, e cila lufton 3 lloje virusesh dhe gjendet në të gjitha farmacitë dhe qendrat shëndetësore. Aplikimi i saj duhet të bëhet pranë qendrave shëndetësore.

Mjekët këshillojnë gjithashtu përdorim me kriter të antibiotikë, të përshkruar vetëm nga mjeku, në rast të prekjes nga sëmundja, si dhe përdorimin e lëngjeve të frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore, që japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›