E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, vritet me 20 plumba 36-vjeçari

EKZEKUTIMI/ Flamur Bruka ka shkuar i armatosur në banesën e familjes Gjoni por është vrarë nga një 27-vjeçare


Policia ka shoqëruar si autore Fatbardha Gjonin, e cila është marrë në pyetje lidhur me motivin


BURREL - Mbi 20 plumba janë derdhur mbi një 36-vjeçar nga një fshat i komunës Ulzë të Matit duke i sjellë vdekjen dhe për këtë dyshohet si autore një 27-vjeçare, banore e fshatit Baz. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në fshatin Baz, ku sipas policies, është gjetur i vdekur shtetasi Flamur Bruka, i cili ka shkuar në familjen Gjoni i armatosur. Policia ka shoqëruar si autore të dyshuar Fatbardha Gjonin, 27 vjeçe, duke sekuestruar dhe armën e këtij krimi.


Ngjarja


Burimet policore saktësuan se janë njoftuar për vrasjen e një shtetasi në fshatin Baz rreth orës 07:00 të mëngjesit të së martës dhe ata e kanë gjetur viktimën të pajetë, i ekzekutuar me disa plumba afër banjës së jashtme në oborrin e shtëpisë së familjes Gjoni.


Sipas dëshmive paraprake të dhëna në polici, viktima së bashku me armën ka shkuar tek shtëpia e Fatbardha Gjonit, dhe aty janë shkëmbyer replika mes njëri-tjetrit, ndërsa kjo e fundit ka rrëmbyer një armë automatike që e mbante në shtëpi dhe e ka ndjekur 36-vjeçarin duke qëlluar mbi të. Ai është afruar tek banja në oborr për t'u fshehur, por e kanë zënë plumbat e shumtë pasi mbi të janë derdhur 20 fishekë, duke e lënë të vdekur në vend.


Sipas burimeve policore, vajza ka qenë e vetme në shtëpi, pasi e ëma kishte shkuar në mëngjes për të shitur domate në tregun e qytetit të Burrelit. Madje dhe vetë ajo e ka mësuar ngjarjen në Burrel. Ato jetonin në shtëpi nënë e bijë, ndërsa 36-vjeçari ishte i martuar dhe me fëmijë. Mbeten mister shkaqet e kesaj vrasjeje, gjithsesi do të jenë hetimet e mëtejshme që do të zbardhin ngjarjen dhe motivet që çuan në këtë vrasje, dhe për këtë është e shoqëruar në polici 27-vjeçarja Fatbardha Gjoni.


Policia


Në një komunikate policore që ka kumtuar vetë kreu i policisë së qarkut Dibër, Artan Hasani, thuhet se 36-vjeçari është gjetur i pajetë në oborrin e shtëpisë së familjes Gjoni në fshatin Baz të Matit. Me t'u njoftuar, uniformat blu të komisariatit të policisë Mat, kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur të vrarë me rreth 20 të shtëna shtetasin Flamur Bruka.


Për të zbardhur ngjarjen, sipas drejtorit Hasani, janë angazhuar specialistët më të mirë të kësaj policie të antikrimit në qark dhe komisaratin e policisë Mat. "Bashkë me efektivat tona të policisë, - u shpreh drejtori Hasani, - në vendin e ngjarjes kanë qenë grupi hetimor dhe prokurorë të rrethit të Matit. Janë kryer të gjitha veprimet dhe është plotësuar dokumentacioni rreth ngjarjes së rëndë".


Ndërkohë, policia ka arrestuar në kushtet e flagrancës shtetasen Fatbardha Gjoni, 27 vjeçe, e dyshuara kryesore për ngjarjen. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë automatike model 56 dhe 20 gëzhoja, të cilat i përkisnin shtetases Fatbardha Gjoni.


Fare pranë viktimës është gjetur dhe një armë automatike, 30 fishekë, një thikë, një palë dylbi dhe dy celularë, pronë e viktimës Flamur Bruka"-sipas drejtorit të policisë. Më tej, Hasani u shpreh se efektivat e policisë së Burrelit të drejtuara nga shefi i komisariatit Flamur Muka kanë realizuar arrestimin e shpejtë të autores së dyshuar për krimin dhe se po punohet në zbardhjen e shkaqeve që cuan deri në këtë vrasje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›