Nisin të vijnë emigrantët e parë për të votuar Partinë Socialiste
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, Erion Veliaj, ka zhvilluar një seri takimesh me emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët po nisen drejt Shqipërisë për të votuar këtu.
Motra dhe vëllezër kjo është hera e fundit që ju stërmundoheni duke udhëtuar drejt qyteteve tuaja të lindjes për të votuar sepse qeveria e partisë Socialiste do të garantojë të drejtën e votës në vendet ku ju tashmë keni ndërtuar jetët tuaja. Ju do të jeni aksionerë në qeverinë e ardhshme. Për ne ju nuk jeni vetëm dërgues të parave për të mbushur arkën e shtetit pas abuzimeve të qeverive të papërgjegjshme. Ju jeni aksionerë të zhvillimit e për rrjedhoje duhet të jeni pjese e qeverisjes, deklaroi Veliaj në takimet me emigrantët shqiptarë në Kallamata, Mesina, Veria dhe Athinë.
Prej ditës së hënë emigrantët kanë nisur të kthehen drejt vendit tonë për të votuar masivisht skuadrën e Rilindjes dhe çelur një faqe të re në historinë e zhvillimit të Shqipërisë. Emigrantët janë konsideruar në mënyrë progresive pjesë e fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit dhe për këtë arsye skuadra e Rilindjes ka pjesë të saj disa kandidatë për deputetë që përfaqësojnë emigrantët dhe që nesër do të jenë pjese e qeverisjes, thuhet në një njoftim të shtabit të Veliajt./ep