Nisin trajnimet për zgjedhjet e 11 majit, Proda: Porosi të qarta për rolin asnjanës të uniformës së Policisë

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Vijon tradita e trajnimit të drejtuesve dhe specialistëve të Policisë së Shtetit, me programe të posaçme mbi detyrat e tyre funksionale, gjatë proceseve zgjedhore.
Trajnimet, në ambientet e Akademisë së Sigurisë, u çelën ditën e sotme, për drejtuesit në Drejtorinë e Përgjithshme, ata të drejtorive vendore të Policisë dhe për drejtuesit e drejtorive vendore të Kufirit dhe Migracionit.
Çelja e trajnimeve u përshëndet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda i cili ishte i pranishëm në këtë takim, së bashku me ambasadorin e Prezencës së OSCE-së në Shqipëri, Michel Tarran, Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zëvendësprokurorin e Përgjithshëm, Thoma Jano dhe me shefin e Seksionit kundër Korrupsionit në SPAK, Klodian Braho.
Proda theksoi se Policia e Shtetit, falë punës dhe angazhimit për përmbushjen maksimale të detyrave funksionale gjatë procesit zgjedhor, synon jo vetëm ruajtjen e standardeve të arrira, por dhe përmirësimin e tyre.
“Arritja e këtyre standardeve në proceset e fundit dhe avancimi i tyre, na bën të barabartë me homologët evropianë, edhe në këtë aspekt. Gjithashtu, Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin me qytetarët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, në mënyrë që çdo indicie, denoncim apo hetim për krime zgjedhore të trajtohet shpejt dhe me profesionalizëm, duke zbatuar me rigorozitet parashikimet ligjore”, shtoi ai.
Secili punonjës policie, nga baza deri te drejtuesit më të lartë, krahas trajnimeve përkatëse, sipas tij, ka marrë porosi të qarta që përgjatë procesit zgjedhor të jetë i angazhuar për mbarëvajtjen e tij, me profesionalizëm, pa paragjykime dhe me dijeni të plotë për rolin asnjanës të uniformës së Policisë, e cila, në krah të kutisë së votimit, duhet të përfaqësojë vetëm një ngjyrë, atë të ligjit.
Ambasadori Tarran u shpreh se “trajnimi i drejtuesve dhe specialistëve të Policisë së Shtetit, është një prej punëve kryesore që bën prezenca e OSBE-së, për rritjen e kapaciteteve gjatë secilit cikël zgjedhor”.
“Integriteti, siguria dhe mjedisi paqësor janë të domosdoshme për të rritur besimin e zgjedhësve. Me punën tuaj ju bëni të mundur që zgjedhësit të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe t’iu dëgjohet zëri. Ju nxis të përfitoni sa më shumë nga ky trajnim dhe ta zbatoni atë në praktikë”, nënvizoi ai.
Nga ana e tij, komisioneri Celibashi theksoi faktin se mes Policisë së Shtetit dhe KQZ-së është krijuar tashmë një traditë e shkëlqyer bashkëpunimi për zgjedhjet në Shqipëri.
“Përvoja e deritanishme e ka treguar se këto dy institucione, së bashku, kanë prodhuar një rezultat shumë të mirë për sa iu përket standardeve të proceseve zgjedhore. Gjatë proceseve të fundit zgjedhore, Policia e Shtetit ka pasur një qasje tërësisht profesionale, në raport me zgjedhjet, dhe ky nuk është një konstatim që vjen vetëm prej meje apo prej KQZ-së, por ky konstatim qëndron kështu dhe për vëzhguesit vendas, për ato ndërkombëtarë, si dhe për humbësit e zgjedhjeve. Policia e Shtetit është një organizatë që gëzon besimin e të gjitha palëve politike. Gjatë gjithë procesit zgjedhor, por veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, do të duhet të ketë një vëmendje të shtuar për disa fenomene negative, si grumbullimi i personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit”, tha Celibashi.
Zëvendësprokurori Jano, nga ana e tij, shprehu vlerësimet më të mira për organizimin e këtij takimi, si një përpjekje serioze që synon të japë një panoramë në lidhje me rifreskimet e detyrimeve ligjore, konstatimet e OSBE-së, problematikat e zbatimit të ligjit zgjedhor, si dhe mbi sfidat e garantimit të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë.
Trajnimet do të vijojnë për specialistët e niveleve zbatuese të Policisë së Shtetit, të angazhuar drejtpërdrejt me detyra funksionale gjatë procesit zgjedhor. /j.p/
Nga takimi i drejtuesit të Policisë së Shtetit,Ilir Proda, me ambasadorin Tarran, kryekomisione... 1 nga 7