PEKIN – Putin dhe Xi vlerësojnë marrëdhëniet Rusi-Kinë në përvjetorin e luftës në Ukrainë

PEKIN, 24 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping kanë vlerësuar miqësinë mes vendeve të tyre në një bisedë telefonike, njoftoi sot televizioni shtetëror kinez.
“Historia dhe realiteti kanë treguar se Rusia dhe Kina janë fqinjë të mirë dhe “miq të vërtetë” që mbështesin njëri-tjetrin”, tha Xi, sipas raportit.
Telefonata u zhvillua në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
“Putin e informoi Xi për gjendjen e bisedimeve me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump”, thanë raportet ruse.
Televizioni shtetëror kinez raportoi se Putin i tha Xi se Rusia ishte e përkushtuar për eliminimin e shkaqeve të “konfliktit ruso-ukrainas” dhe për një program të qëndrueshëm dhe afatgjatë të paqes.
“Xi vuri në dukje propozimet e paqes që Kina ka paraqitur për t’i dhënë fund luftës”, tha transmetuesi.
Kina konsiderohet një mbështetëse e rëndësishme e Rusisë, pasi nuk e ka dënuar deri më sot luftën e Moskës kundër Ukrainës. //a.i/