Një rrëfim fotografik për besëtytnitë shqiptare
U promovua dje në ambientet e Universitetit Europian në Tiranë libri i gazetarit Fatos Baxhaku. Nën titullin “Roje”, ky botim vjen si një rrëfim fotografik i gazetarit kushtuar besëtytnive shqiptare të shekullit XXI
Kësaj here i ka lënë për pak mënjanë reportazhet, edhe pse çka sjell, janë fryt i tyre. Vjen me një gjini krejt tjetër, përmes fotografisë. Por nuk janë thjesht dhe vetëm kaq. Shijet e fëmijërisë, detajet e së shkuarës e kanë ndjekur pas dhe e kanë bërë që të ndjekë me kureshtje një fenomen interesant në vend, një fenomen që vetë ai, gazetari Fatos Baxhaku e ka quajtur “bota e tretë”. Bëhet fjalë për botën e besëtytnive, shpirtrave, përrallave, gjërave të pashpjeguara, hajmalive, syrit të keq e kështu me radhë, të cilat e kanë ngacmuar përherë. Falë udhëtimeve të shumta anekënd Shqipërisë, ai ka gjetur pak kohë për t’u marrë edhe me to: besëtytnitë shqiptare të shekullit XXI, të cilat i ka sjellë në një rrëfim përmes fotosh në librin e titulluar “Roje”. Botim i “Çelsit”, libri u promovua dje në mbrëmje në ambientet e Universitetit Europian në Tiranë. Fotografitë e “Roje” janë të ndara në katër kapituj të titulluar “Fusha”, “Shtëpia”, “Mosha e tretë” dhe “Lodra të vrara”. Rrëfimin dhe përsetë e këtij libri, Baxhaku na e shpjegon në parathënie, duke e nisur këtë udhëtim gjysmë përrallor me pakëz aromë prej fëmijërisë së tij. “Kur isha i vogël, pjesën më të madhe të pushimeve shkollore e kaloja në Shkodër, në një shtëpi me çardak, pranë hotel ‘Turizmit’ të vjetër, ku banonte gjyshja ime nga nëna. Pranë saj ishte edhe punishtja e akulloreve, e vetmja në të gjithë qytetin... Ndërtesa e madhe strehonte shumë familje që lidheshin nga një korridor i përbashkët. E kam ende ndër veshë atë kërcëllitjen që bënin dërrasat që kishin nisur të epeshin, por edhe të nallaneve të rënda prej druri që përdornin gati të gjithë banorët. Madje, nga ritmi i kërcitjes, e dinim se kush po ecte atë çast në korridor... Nga ajo kohë më kanë mbetur në mendje shumë gjëra”, shkruan gazetari Fatos Baxhaku duke shtuar se pikërisht kështu, nisi të vriste mendjen se çfarë e lidh këtë kohën tonë të zhurmshme me atë të paqtën e fëmijërisë për të cilën ka aq shumë mall? “Fryt i kësaj gjendjeje është ky libër që po merrni në dorë. Me anë të tij, kam dashur, nëse me lejoni, t’ju marr për dore në një botë tjetër. Në një botë që edhe është edhe nuk është. Ne asaj i kalojmë përditë pranë, porse kthejmë kokën menjëherë mënjanë, njësoj sikur të kemi frikë prej saj, apo njësoj sikur të mos duam të kujtojmë gjëra të shkuara e të harruara”, thotë ai. Ndërsa endet ndër kujtime, Baxhaku tregon se ndoshta i pari që duhet ta ketë yshtur në këtë rrugë duhet të ketë qenë Baba Aliu, të cilin në Shkodër e quanin thjesht “Babalia”. “Sa herë që ndonjëri prej nesh bënte naze në tavolinë, apo sa herë që ndokush prej nipave apo mbesave nuk e respektonte radhën për të shkuar në banjo, dëgjohej menjëherë zëri i gjyshes: Hajt, hajt se po i tham nji tash Babalisë! Unë kisha frikë. Nuk e kisha parë kurrë Babalinë, porse e përfytyroja si një plak të skërmitur me një shkop të rëndë në dorë e me një thes në krah që mbush dëng me fëmijë që nuk i binden gjyshes... Në fakt Babalia ka ekzistuar. Vite më vonë kur isha student jam trishtuar fort për këtë gjë. Babalia na paskësh qenë një njeri i vërtetë... Mbas Babalisë, i dyti që më ka lidhur me atë që pak nga pak do ta quajmë “Bota e tretë” ka qenë Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli). Librin e tij, “Tregime të moçme Shqiptare” e kam përpirë me dhjetëra herë. Befas kisha hyrë në një botë tjetër. Nuk ishte ajo ku jetoja përditë. I kisha harruar të gjitha. Këto janë fillesat e mia në atë botë që mua më pëlqen ta quaj ‘e treta’”, tregon Fatos Baxhaku. Sipas tij, shumë prej nesh besojnë se ka një tjetër botë, ajo që vjen pas vdekjes. “Unë them se ka edhe një të tretë, që është bota e besëtytnive, shpirtrave, përrallave, gjërave të pashpjeguara, hajmalive, syrit të keq e kështu me radhë. Një botë që qëndron diku mes dy të tjerave. Në moshë të rritur jam munduar të lexoj thuajse çdo gjë që ka të bëjë me lidhjen e shqiptarëve me këtë botë. Për fat të keq, botimet nuk janë të shumta... Dhe meqë gjatë viteve të fundit kam pasur fatin të udhëtoj nga pak kudo nëpër Shqipëri, vendosa të merrem ndryshe me personazhet e kësaj bote: me anë të fotove. Ky botim është vetëm kërkimi i një kureshtari, të pajisur me një aparat, në veshin e të cilit jehon ende ajo shprehja: Haj, hajt se po i tham tash Babalisë! Fotot e botuara në këtë libër janë fryt i një pune afër trevjeçare, që zgjatet nga vera e 2007-s deri në pranverën e vitit 2010. Dy janë personazhet kryesore të këtij libri - ne, a më mirë me thënë frika jonë, dhe ata, “rojet tona”, brirë dashi, patkonj kali, hudhra e specka djegës, dordolecë, arushë e kukulla prej pelushi gjithfarësh”, tregon ai.
Ai shpjegon për lexuesin se rikthimi i besimeve fetare dhe bashkë me to edhe deklarimi hapur i besëtytnive, më pas hapja e Shqipërisë me tregjet e huaja kanë sjellë ndryshime jo vetëm në përmbajtjen e mjeteve të luftës kundër syrit të keq, por edhe në teknologjinë e sajimit të tyre. Ndryshimi i parë më thelbësor është ngjitja e dordolecëve nga fusha në majë të pullazit. Tani dordolecët kanë fituar një funksion tjetër. Ka edhe nga ata që ruajnë ende pozitën tradicionale në fushë, por shumicën e kemi hasur të vendosur në shtëpi në ndërtim apo të porsandërtuara. Misioni i tyre ka ndryshuar nga trembës zogjsh në trembës të syrit të keq. Tani edhe mënyra e sajimit të tyre është më e komplikuar. Zakonisht me këtë merren gratë dhe fëmijët... dhe kështu oborret fshatare nisën të mbushen me lloj-lloj personazhesh nga bota e përrallave... vetëm në këtë botë, në të tretën, mund të shohësh një arush Tedi të mbërthyer me tel për veshi dhe që vazhdon të buzëqeshë, duke shtrënguar fort një zemër të kuqe ku shkruhet “I love you”, vetëm në këtë botë të buzëqesh koka pa trup e një kukulle, vetëm në këtë botë një lepurush “jeton” në paqe, megjithëse barkun e ka të shpuar tej e tej nga një goxha tel me gjemba. Për Baxhakun është fare e qartë se besëtytnitë tona në shekullin XXI janë vazhdim me mjete dhe mundësi të reja i atyre fort të vjetrave.