E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, zbukurim dyfish, qeveria dublon bashkinë

Kryeministri i kërkon protokollit të shtetit: Bulevardi të marrë ngjyrat që meriton

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është e vetmja në të gjithë botën ku zbukurimet dhe dekori janë “të vakëta”.

Ndonëse pamja e jashtme e kryeqyteteve të tjera të botës shndrinë dhe vezullojnë nga larmishmëria e dritave, ngjyrave apo zbukurimeve të shumta që të krijojnë emocion dhe dëshirë për të mirëpritur një vit të ri, me shpresën se do të jetë më i mbarë se ai i kaluari, në Tiranë atmosfera është ende e zymtë. Për fat të keq, edhe pse në prag festash, asnjë rrugë nuk të jep këtë ndjesi. Atë mund ta ndiesh vetëm teksa kalon pranë Bashkisë së Tiranës, Kryesisë së Kuvendit, Kryeministrisë apo bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku vetëm pak ditë më parë bashkia ka improvizuar një pemë të lartë, si për të përcjellë sadopak atmosferë festive edhe në radhët e kryeqytetasve.

Në kuadër të kësaj teme ka reaguar dje Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili i kërkoi sërish protokollit të shtetit të marrë përsipër përcaktimin e dekorit të Tiranës.

Nisur nga dekori i kryeqytetit me rastin e festave të fundvitit, Kryeministri tha se bulevardi kryesor i Tiranës, “Dëshmorët e Kombit”, duhet të ketë ngjyrat dhe dritat që përfaqësojnë të gjithë shoqërinë.

“Në kryeqytet po përballemi me fenomenet më të çuditshme. Protokolli i shtetit duhet të përcaktojë qartë dekorin e këtij qyteti. Sot, bulevardi kryesor ‘Dëshmorët e kombit’, më thotë një veteran, ka marrë ngjyrat e Pigalit, një lagje e veçantë e Parisit dhe absolutisht veterani kishte të drejtë. Shikojini, janë identike ngjyrat e Pigalit. Por ky shesh nuk është Pigali, por bulevardi ‘Dëshmorët e kombit’”, tha Berisha.

Ai shtoi se është interesuar personalisht për këtë pikë, dhe ka mësuar që kjo nuk ishte ideja e kryebashkiakut, por nga ana tjetër ngjyrat janë zgjedhur nga ai vetë.

Sipas Berishës, Rama ka paguar kompani të posaçme për dekorimin e pemës së Vitit të Ri, nëpërmjet sponsorëve, çka do të thotë se gjithçka është konceptuar në mënyrë korrekte, por përzgjedhja e ngjyrave të atilla janë absolutisht absurde.

“Bulevardi ‘Dëshmorët e kombit’ duhet të ketë ngjyrat dhe dritat që duhen, për më tepër që zbukurimet u bënë dy muaj pas martesës së kryebashkiakut. Protokolli i shtetit duhet të ndërhyjë patjetër, madje në rast se do të jetë e mundur nëpërmjet përdorimit të kodeve të bëhet ndërrimi i ngjyrave aktuale me ngjyra normale”, theksoi kreu i shtetit.

Sipas tij, francezët, që i bëjnë sheshit ndriçimin më fantastik krahasuar me sheshet e tjera të botës, nuk i vënë në Champs Elysees ato ngjyra, as kullën Eiffel nuk e ndriçojnë në atë mënyrë, kështu që duhet ndërhyrë menjëherë që bulevardi të marrë ngjyrat që meriton.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›