Vendet sllave të Ballkanit rikthejnë komentet filoserbe kundër Gjykatës së Hagës
Debati i ndezur i muajit të kaluar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë vazhdon të ngrejë pyetje të mëtejshme mbi atë nëse gjykata ka kontribuuar në pajtimin rajonal. "Roli i [gjykatës së Hagësl] nuk ishte kurrë për të futur paqen e pajtimin, por për të ndëshkuar ata që kryen krime të luftës. Pajtimi duhet të nisë midis komuniteteve vendore të frymëzuara nga udhëheqja e vendit, që në 17 vitet e fundit ka bërë pikërisht të kundërtën," tha Nexhat Horozoviç, një anëtar i OJQ-së me qendër në Sarajevë, Qendra për Veprimin e Pa-dhunshëm. Çështja mori vëmendje të re pas seancës së 10 prillit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të planifikuar nga Kreu i Asamblesë dhe ish-Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç, pas pakënaqësisë së Serbisë lidhur me lirimin e kroatëve e kosovarëve që ishin akuzuar për krime të luftës kundër serbëve. Jeremiçi tha se ai nuk po kërkonte të krijonte një platformë për të sulmuar gjykatën, por Presidenti serb Tomisllav Nikoliç, që paraqiti qëndrimin e Beogradit, tha se gjykata vetëm kishte bërë më të vështirë pajtimin me vendimet që praktikisht akuzonin Serbinë për luftërat dhe krimet e viteve 1990. "Dikush po përpiqet të forcojë idenë se pala serbe ka vrarë e ka kryer gjenocid në mënyrë kafshërore e të shfrenuar, ndërsa ana tjetër nuk bëri kurrgjë veçse punë humanitare," tha Nikoliçi. Sandra Orloviç, drejtore ekzekutive e Fondit të së Drejtës Humanitare me qendër në Beograd, tha se paraqitja e Nikoliçit ishte "plot gjysmë të vërteta dhe propagandë" e se ai "i bëri dëm vendit". "Është e qartë për këdo se njerëzit me të kaluar të tillë të komprometuar, që flasin rreth pajtimit duke filluar nga mohimi i krimeve e kujdesen për të paditurit dhe ata që kryen krimet më të ashpra, nuk mund të flasin rreth pajtimit," tha Orloviçi në një intervistë për të përditshmen e Beogradit “Danas”. Savo Stërbac, drejtor i Qendrës Veritas që mbledh të dhëna për krimet kundër serbëve, tha se gjykata e Hagës nuk ka kontribuar për pajtimin sepse ndëshkoi serbët e akuzuar, por jo krimet e kryera kundër serbëve. "Askush nuk u shpall fajtor për krimet kundër serbëve në territorin e Kroacisë e Kosovës," tha Stërbaci. "Drejtësia me përzgjedhje është e njëjtë me padrejtësinë". Millan Rodiç, president i Partisë Popullore Serbe nga Kroacia, tha se gjykata shpesh procedoi të paditurit duke ndjekur rregulla politike sesa ligjin e drejtësinë. "Tetëdhjetë përqind e të shpallurve fajtorë janë serbë. Pak e pabesueshme, apo jo? Prandaj, kjo gjykatë nuk kontribuoi në ndonjë rast në pajtimin e popujve të Ballkanit, por përkundrazi thelloi të çarën tashmë të thellë midis vendeve dhe feve," tha Rodiçi. Vladimir Gredelj, një avokat i Zagrebit dhe ish-president i Shoqatës së Gjyqtarëve të Kroacisë, tha se një nga mësimet e punës së gjykatës është se sfera e një gjykate të tillë është e parëndësishme."Pajtimi i popujve varet nga shumë faktorë dhe drejtësia është vetëm një nga ta. Nuk jam i sigurtë se [gjykata] pati shumë sukses në bërjen e kësaj," tha Gredelji. "Kemi parë të gjithë reagimin e Kroacisë dhe Serbisë kur gjeneralët kroatë u liruan. Njëra palë festonte, tjetra u tërbua. "Gjykata të tilla si [gjykata e Hagës] janë përgjithësisht të rezervuara për vende të tillë të vegjël si Ballkani. Kështu që mendoj se është me rëndësi të madhe që komuniteti ndërkombëtar të bëjë një gjykatë të madhe ndërkombëtare penale, që do të vepronte për të gjitha vendet," tha Gredelj. "Kjo do të ishte një nga zgjidhjet me të cilën mund të vinim me të shpejtë në drejtësi dhe kështu, në pajtim".