E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Edip modern

Filmi ‘Agnus Dei’ i regjisorit Agim Sopi e trajton dramën e luftës nga këndvështrimi i një ushtari serb dhe kësisoj pjesa më e madhe e dialogut zhvillohet në gjuhën serbe. Regjisori Sopi tha se nuk është film për luftën apo për heroizëm por më shumë për antiheroin.

Për ta kuptuar filmin e ri të Agim Sopit duhet patjetër ta dini gjuhën serbe. Kjo për shkak se në filmin ‘Agnus Dei’ më shumë flitet në serbisht sesa në shqip. Drama e filmit, që u dha premierë të premten mbrëma në Teatrin Kombëtar, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘PriFilmFest’, zhvillohet nga këndvështrimi i anës së kundërt, do të thotë, nga këndvështrimi i një ushtari serb. Regjisori i filmit thotë se nuk ka dashur të bëjë një film për luftën apo për heroizëm. Pikënisjën ai e ka marrë nga një artikull gazetaresk të botuar në revistën Zëri i Rinisë, një storie e vërtetë me emër e mbiemër.

“Kam qenë i fascinuar me faktin se si jeta riprodhon mitet dhe për me qenë edhe më interesant, në këto hapësira të Ballkanit shpeshherë miti bashkëjeton me realitetin dhe kjo bashkëjetesë nganjëherë i kapërcen gjërat nga logjika reale, i bën pasionante, emotive, të cilat ndonjëherë përfundojnë në konflikte apo tragjedi. Kjo ka qenë një mrekulli që mua më ka nxitur ta bëj një storie për film. E kam shkruar skenarin dhe besoj që ka dalë një skenar i mirë”, u shpreh për Express regjisori Sopi.

Sipas tij, ka dalë një skenar i mirë edhe për një arsye sepse ka dashur që të bëj diçka ndryshe për luftën, jo ta shohë një storie apo dramë të luftës nga këndvështrimi ynë, pra ajo që ne e kemi përjetuar, por nga këndvështrimi i tjetrit. Dhe kjo, sipas Sopit, është e veçanta e këtij filmi.

“Drama ndodh nga pozicioni i një ushtari serb. Emocionet e tepërta që njeriu i përjeton kur është viktimë e humbin kuptimin. Atëherë gjërat ndërlidhen shumë, ngatërrohen shumë dhe atëherë bashkudhëton e mira me të keqën, duke u shpërfytyruar në mënyrën më ekstreme. Ky segment besoj e bën këtë film të veçantë”, theksoi ai.

Duke folur për pranimin e filmit nga ana e publikut, marrë parasysh se e shfaq luftën nga perspektiva e kundërt, Sopi u shpreh se kjo ka qenë droja e tij e parë. Meqë filmi zhvillohet nga jukstapozicioni i një ushtari serb, i anës së kundërt, është imponuar edhe gjuha. Gati më shumë se gjysma e filmit është në gjuhën serbe. Sopi ka pasur drojë se si do ta pranojë publiku një film, në të cilin dialogu më shumë zhvillohet në gjuhën serbe.

“Është një film i bërë nëpër teh të shpatës”, tha Sopi, duke shtuar se ka qenë i përgatitur edhe të dëgjojë ndonjë fishkëllimë apo të dalë ndokush në mënyrë demonstrative nga salla.

“Kam besuar që është koha që duhet të thuhen gjërat e tilla”, theksoi Sopi.

Duke e parë një film ku një ushtar serb dezerton dhe i ndihmon një vajze shqiptare për të ikur, e cila del të jetë motra e tij, nga një aferë e hershme dashurie në mes një fshatari shqiptar me një bashkëfshatare serbe, publikut mund t’i duket se janë zbutur krimet serbe në Kosovë. Sopi e mohon këtë por shton se nuk është marrë me anën e masakrave.

“Masakrat ndodhin. Çeta ku bën pjesë personazhi është një çetë e spastrimit të terrenit, të cilët i mbledhin ato dëmet kolaterale, i mbledhin kufomat, zhdukin gjurmët e krimit. Këta rrallëherë bëjnë krime dhe ato krime që i bëjnë i bëjnë për të vjedhë ndonjë lek. Këta nuk janë ajo linja e parë e frontit që duhet asgjësuar armikun. Janë për të mbuluar gjurmët”, tha ai, duke shtuar se ky nuk është film për luftën.

“Është një dramë që ndodh gjatë luftës por që pasojë e ka luftën. Është një Edip i ditëve tona. Madje drama është e një personazhi paqësor, do të thosha, një personazhi që dëshiron të ikë nga lufta. Ai në fillim kur nëna apo ambienti e cytë që të shkojë në luftë, ai përgatitet për të ikur, për të dezertuar sepse thotë ‘kjo nuk është lufta ime, unë nuk dua as të vras as të më vrasin’. Dëshiron të ikë, por dhunshëm mobilizohet dhe padashur gjendet në një rrëmujë dhe në atë rrëmujë ai mendon se duhet ta qojë drejtësinë në vend, t’i kryejë disa amanete të nënës sepse diku në ndërdije e ka një kompleks që dikush nga këta njerëz ka qenë shkaktar i tragjedisë së familjes së tij, shkaktar i një drame të paevitueshme të tij dhe ai duke u përpjekur me dhunë t’i vejë gjërat në vend shkakton dramën, shkakton problemet thellë e më thellë”, theksoi Sopi.

Ai shtoi se në këtë storie detyrimisht ka pasur njerëz të mirë dhe njerëz të këqij.

“Të merremi vesh, nuk kanë qenë të gjithë serbët egërsira në luftë. Ka pasur njerëz që kanë bërë edhe të mira. Unë i kam njohur disa sepse unë kam qenë këtu gjatë luftës, nuk kam qenë në Shqipëri. Më së lehti është nga pozicioni i atyre të Shqipërisë apo Gjermanisë të tregohet për tmerret e luftës së Kosovës. Por ai që ka qenë këtu është pak më realist, i di tamam sepse i ka përjetuar gjitha”, tha Sopi.

Megjithëse ngjarja në film ndodh gjatë kohës së luftës së vitit 1999, në të nuk paraqitet fare Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sopi tregoi se ky nuk është film për heroizëm, por për antiheroin, për njeriun që ikë nga lufta dhe të cilin e rrëmbejnë valët e luftës dhe e shndërrojnë në një kriminel.

“Nuk është film i bërë për dy anët në konflikt. Ka pak ambient të luftës dhe kaq. Beteja nuk ka. Ka gjurmë të luftës në film, nuk ndodh lufta”, tha Sopi, duke mos besuar se mund të ketë reagime në këtë aspekt.

Filmi do të shfaqet për publik diku kah mesi i tetorit. Sopi tregoi se ka aplikuar në disa festivale botërore të filmit, mirëpo, ajo që është kryesorja është se ai tashmë ka një kontratë me ITM Distribution dhe Avant Garde Cinema nga Los Angeles, të cilët janë distributorë me renome botërore. Sopi theksoi se këtyre distributorëve filmi u ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë.

“Gjatë këtyre dhjetë ditëve do t’ua dërgoj materialet, ndoshta sigurisht diku kah fundi i vitit apo fillimi i vitit tjetër do të fillojë distribucioni botëror. Ata e kanë një potencë dhe një fuqi që ta shpërndajnë nëpër botë. Ky është lajmi më i mirë për filmin”, tha ai.

Megjithatë, edhe për këtë film nuk mungojnë kritikat. Skenaristi Arian Krasniqi, i pyetur nga Express se çfarë mendon për këtë film, tha se filmi është ndërtuar mbi një ide dhe mbi një rrëfim skematik.

“Po ashtu, vërehet qarte se në shumë skena ka konstruksione. Dialogu në mes personazheve tingëllon patetik. Megjithatë, e veçoj dhe e përgëzoj për interpretimin e tij, aktorin Astrit Alihajdaraj”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, dramaturgu Jeton Neziraj u shpreh se kjo është një ndërmarrje e madhe filmike, e cila do kohë në mënyrë që të analizohet dhe vlerësohet më me saktësi. Edhe ai e vlerësoi lartë lojën e aktorit kryesor.

“Mund të konfirmoj se kam qenë i mrekulluar me lojën e aktorit kryesor, Astrit Alihajdari. Kam shumë pikëpyetje për strukturën e filmit, për qasjen ndaj temës, por prapë po e them se më duhet më shumë kohë që të kem një qëndrim dhe përshtypje më të saktë”, theksoi Neziraj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›