Një Gay Parade edhe në Tiranë
Njihen me emrin Gay Pride dhe janë manifestime të personave me prirje të ndryshme seksuale. Zakonisht në rajonin tonë të tilla manifestime kanë përfunduar me përplasje të dhunshme. Por në Shqipëri nuk është tentuar kurrë diçka e tillë. Tanimë ambasada PINK thotë se ka ndërmend të bëjë një organizim të ngjashëm në Tiranë më 17 maj, por pa e etiketuar atë si një Paradë Gay.
Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe një pjesë e madhe e komunitetit LGBT jeton këtu. Komuniteti LGBT që jeton jashtë Tiranës, jeton thuajse i gjithi nën frikën e dhunës, përjashtimit, përbuzjes dhe mungesës së respektit për të drejtat e tij. Për Ambasadën PINK kjo situate është e papranueshme!, thuhet në deklaratën e Ambasadës PINK.
Në një nga sheshet e Tiranës pritet që ata të qëndrojnë nga mëngjesi deri në mesnatë. Flamuri simbol i lëvizjes së tyre, me ngjyrat e ylberit, pritet që ti dorëzohet edhe kryeministrit shqiptar, në shenjë kërkese për të bërë më shumë për respektimin e këtyre të drejtave.
Altin Hazizaj i Ambasadës PINK thotë se flamuri gay do ngrihet në këtë 100 vjetor përkrah flamurit shqiptar.
