E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Uashingtonit në Londër, Rama, takime me laburistët dhe një fjalim në London School of Economics

Share

Rama me kongresmenin Peters

Kryetari i Partisë Socialiste pritet të shkojë në Angli pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty do të ketë takime me zyrtarë të Partisë Laburiste si dhe do të jetë i pranishëm në një nga institucionet arsimore më të njohura në botë, në Shkollën Ekonomike të Londrës, London School of Economics.

Në rrugën e kthimit. Një tjetër stacion tërheqës fillimjavën e ardhshme takimet në Labour Party dhe në 26 mars London School of Economics, shkruan Rama.

Ndërkohë zyra e shtypit e PS ka zbardhur takimet e Ramës me kongresmenët amerikanë.

Lideri i opozitës ka takuar kongresmenët Eliot Engell dhe Gary Peters. Ata janë zëdhënës aktivë të çështjeve shqiptare dhe përfaqësojnë komunitete në New York dhe Michigan ku ka votues me origjinë shqiptare Një bisedë shumë miqësore me kongresmenët Engell e Peters ku folëm për programin tonë të ri dhe gjendjen në Shqipëri përgjithësisht, shkruan Rama në faqen e tij zyrtare. Rama ka falenderuar dy kongresmenët për avokatinë e sinqertë ndaj Shqipërisë pa marrë anë politike, por duke synuar më të mirën për vendin. Kongresmeni Engel e çmoi shumë rolin dhe punën e Ramës në Shqipëri dhe u angazhua për një marrdhënie të ngushtë e mbështetëse. Kongresmeni Peters ofroi mbështetje të programit të PS në ndihmë të sipërmarrjeve të vogla e të mesme. Peters është autor i ligjeve kryesore që Presidenti Obama dekretoi për stimulimin e bizneseve të vogla të rrezikuara nga kriza ekonomike. PS do të konsiderojë disa nga idetë e Peters për programin e saj për të ndihmuar dhe jo rrënuar biznesin!

Rama ka zhvilluar një takim me një tjetër të zgjedhur të Kongresit Amerikan, me kongresmenin Gregory Meeks. Me kongresmenin Meeks, siç pohoi vetë Kryetari i PS u fol për Shqipërinë si vend aleat i palëkundur i ShBA dhe rëndësinë e demokratizimit të mëtejshëm të vendit tonët. Meeks është demokrati më i lartë në Komisionin e Marrdhënieve me Jashtë, grupi i Europës. Rama falenderoi Meeks për ndihmën legjislative në antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kërkoi të njëjtën mbështetje lobimi për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Meeks përshëndeti fokusimin e PS tek çështjet konkrete që ndihmojnë qytetarët dhe ftoi z. Rama për një vizitë të dytë në Kongresin Amerikan me fokus Komitetin e Marrdhënieve me Jashtë ku ai është drejtues i lartë.

Programi për Sportin është kapitull i veçantë i dokumentit themelor të socialistëve miratuar në Kongresin e 5 nëntorit. Kreu i PS është takuar edhe me një nga emrat më të njohur të futbollit amerikan, Heath Shuler, që tani përfaqëson Karolinën e Veriut në Kongres. Në takimin Rama Shuler është folur pikërisht për këtë kapitull të veçantë të Programit, për të bërë të mundur një rilindje për sportin shqiptar. Një takim special me yllin e futbollit amerikan, kongresmenin Heath Shuler, ku folëm për programin tonë të sportit në shkollë, u shpreh Rama pas takimit. Kongresmeni Shuler ofroi ide konkrete për të pasuruar kurrikulat e shkollave me edukimin sportive. Të dy ish-sportistët, sot politikanë, po planifikojnë një takim të dytë në Tiranë për t’i dhënë një promovim më të madh kulturës sportive në Shqipëri. Përpara takimit në Departamentin e Shtetit, Rama ka qenë në Bankën Botërore. Në Bankën Botërore për të nxitur mbështetjen buxhetore për Shqipërinë si një instrument lehtësues për masat e domosdoshme antikrizë, pohon vetë Kryetari Edi Rama nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Robert Aderholt është kongresmen i njohur i Kongresit Amerikan, Kryetar i Komisionit për Sigurinë e Brendshme Amerikane. Kryetari Edi Rama ka zhvilluar një takim të veçantë me Aderholt, i cili shërbën dhe si anëtar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, apo siç njihet ndryshe me emrin Komisioni Amerikan i Helsinkit. Komisioni Amerikan i Helsinkit është një agjenci e qeverisë amerikane, që monitoron dhe inkurajon zbatimin e Aktit Final të Helsinkit dhe përbëhet nga nëntë anëtarë të Kongresit, nëntë anëtarë të Senatit dhe nga një përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, i Mbrojtjes dhe i Tregtisë.

Takimi i Kryetarit Rama me kongresmenin Aderholt ka patur në qendër Shqipërinë. Vetë kryetari Rama në një mesazh në faqen zyrtare shprehet se Takimi i fundit për këtë herë me kongresmenin Aderholt, kryetar i Komisionit të Sigurisë e po ashtu shumë i interesuar për Shqipërinë.

Aderholt u informua informacion mbi procesin e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Pas ftesës së zotit Rama, Aderholt mund të vizitojë Shqipërinë në Maj të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›