E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Jonesco zbavitës

Regjisori Spiro Duni rikthen pas 15 vjetësh në TK "Këngëtaren tullace" të Joneskos. Duni: "Vepra ka si qëllim zbavitjen, atë zbavitje që quajmë entertainment dhe që i intereson më shumë spektatorit".


"Gjuha nuk është më mjet komunikimi mes njerëzve, por një lëvozhgë tingujsh."

Në ditët e nxehta të korrikut Teatrit Kombëtar servir një pjesë të teatrit të absurdit, veprën "Këngëtarja tullace" (La Cantatrice Chauve) të dramaturgut rumun Eugjen Jonesko (1909-1994). E cilësuar si e para vepër e teatrit absurd vihet në skenë nga regjisori Spiro Duni.


Është hera e dytë që publiku ynë ka mundësinë të ndjekë këtë vepër të përkthyer nga Agim Qirjaqi. Aktori do ta vinte premierë në skenë në vitin 1994. Por Duni ka një koncept të vetin për këtë vepër. Ka vetëm tri ditë që regjisori dhe aktorët janë ulur në tryezën e provave, për shfaqjen që do të jetë në skenë më 10 korrik.


Gjashtë personazhet e "Këngëtares tullace" interpretohen nga aktorët Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Marjana Kondi, Anila Bisha, Flaura Kureta dhe Sajmir Sina. Është vepra e tretë që Duni ngjit brenda një sezoni në TK, pas "Fërshëllimë në errësirë" (Tom Murphy) dhe "Mbroni shpellarin" (Rob Becker) produksion i "Studio Teatër Po".


Pas një drame dhe një One man show (ku Duni ishte aktor dhe regjisor) ndalet tek teatri i absurdit. "Kjo është një dramë larg elementeve të dramës tradicionale, larg poetikës së Arisotelit. Është një vepër që nuk mbështetet në atë që ne quajmë intrigë, zhvillim, mes dhe mbarim. Vepra ka si qëllim zbavitjen, atë zbavitje që quajmë entertainment dhe që i intereson më shumë spektatorit", thotë Duni.


Mungesa e komunikimit verbal që Jonesko ka vënë re gjysmë shekulli më parë është një temë që në ditët e sotme është me aktuale se kurrë. Të paktën ky është shqetësimi që Duni, në këtë rast, ndan me "Këngëtaren tullace".


"Në këtë botë që jetojmë ku drejton absurdi, dhe jo logjika, njeriu është në një udhëkryq të madh ku gjuha nuk është më as mjet komunikimi mes njerëzve, por është një lëvozhgë tingujsh. Ky është mesazhi që ne përcjellim", shpjegon regjisori.


Pjesa flet për njerëz që kanë humbur sensin e komunikimit me njeri-tjetrin, njerëz që nuk mendojnë por vijnë rrotull në një vend pa hapësirë dhe kohë. Bashkëshortët Smith janë janë një çift anglez më të vjetrën, të cilët kanë ftuar çiftin e Martinëve për një vizitë.


Grupit të vogël u bashkohet edhe kamarierja e Smithëve, Meri bashkë me të fejuarin zjarrëfikës. Të dy çiftet papritur fillojnë të tregojnë histori pa kuptim. Në një moment Znj. Martin fillon të bisedojë me bashkëshortin e saj sikur janë dy të panjohur që sapo janë takuar.


Ndërkohë që është duke u larguar, zjarrëfiksi përmend "këngëtaren tullace". Fjalë që i turbullon bashkëbiseduesit. Znj. Smith i përgjigjet se "ajo gjithmonë i mban flokët në të njëjtin model".


Pas largimit të zjarrëfiksit pjesa kalon në një zinxhir sekuencash që nuk ngjajnë me një bisede normale.


Por historia që rrëfen regjisori Nicolas Bataille ka një vlerë të veçantë dokumentare sepse është njeriu që ka marrë i pari në duar veprën e Jonescos qysh në dorëshkrim. Ja si e tregon ai pagëzimin me titullin "Këngëtarja tullace":


Një mbrëmje, Monica Lovinesco, që prej pak kohe ishte asistentja jonë për regjinë, më solli një dorëshkrim: "Kam një mik që ka shkruar një dramë të vogël. Të gjithë i thonë se nuk mund të luhet.


Do doja të dija ç'mendon ti." "Si quhet miku yt?" "Jonesko."
Lexova ndërkohë dorëshkrimin e "Anglishtja pa mundim", titulli fillestar i "Këngëtares tullace", qe për mua, dramaturgun e ri, një zbulim: ky tekst nuk kishte gjë të përbashkët me gjithë ç'kisha parë e lexuar deri më atëherë.


Aty jepen personazhe anglezë të cilët komunikojnë me një gjuhë të çuditshme, që rrjedh pa qëllim, por që gjithsesi ka një llogjikë. Pak ditë më vonë, do të takoja Joneskon i cili më shpjegoi: "Kam dashur të mësoj anglishten, kam shfletuar një metodë Assimil dhe zbulova një botë të tërë që shprehej në një mënyrë të habitshme.

Kështu pra personazhet e mi anglezë i bëra që të flasin si francezë që po mësojnë anglishten". Dhe nëpërmjet nëntitullit të Anglishtes pa mundim, (L'anglais sans peine), "Anti-lojë" (antidramë) ai theksonte që kjo ishte një kritikë teatrit borgjez të fillimit të shekullit.


"Atëherë, e vërtetë është? Dëshironi ta luani veprën time? Por të gjithë më thonë që nuk mund të luhet!" Për ne po, ishte, dhe na vinte aq për mbarë me çka kërkonim për trupën tonë të vogël.


Vendosëm që ta vinim në skenë pa vonuar. I vetmi problem (veç atij për të gjetur një teatër ta vënë në skenë) ishte ndryshimi i titullit: Anglishtja pa mundim na sillte ndër mend veprën e Tristan Bernard-it "L'anglais tel qu'on le parle".


Një ditë, gjatë provave, shefi i zjarrëfikësve recitonte historinë e "rrufës", pati një bllokim të trurit, kapërceu tre rreshta dhe në vend që të fliste për një këngëtare tepër bjonde, na tregoi një këngëtare... tullace. Jonesko bërtiti: "Ky është titulli! Do ta quajmë La Cantatrice chauve! Për ta justifikuar këtë titull, do të shtoj disa kundërpërgjigje".


Dhe "Këngëtarja tullace" u krijua më 16 maj 1950 në Théâtre des Noctambules falë Jean-Claude dhe Pierre Leuris, regjisorët që do t'i besonin veprës menjëherë.


Do të bëhej një rast i pashoq në historië e teatrit francez, sepse pas Noctambules, ne do ta rivinim më 1957 në Théâtre de la Huchette, ku ajo luhet pa ndërprerje qysh prej asaj date!"
Sipas regjisorit shqiptar kemi të bëjmë me një teatër tjetër "ku personazhet nuk komunikojnë më me njëri-tjetrin.


Duket sikur ky komunikim t'i ngjajë tregimit të disa anekdotave. Përmbajtja ka një raport tjetër me formën. Është përmbajtja që lëshon këto mesazhe, të udhëkryqit ku ndodhet bota sot dhe kjo përmbajtje ka formën e farsës. Karakteret kanë ironinë dhe shpotinë brenda", shpjegon ai.


"La cantatrice chauve" ështe vepra e parë teatrale e Eugjen Joneskos. Autori rumun, në 1948-ën vendosi të mësojë gjuhën angleze dhe për këtë bleu një manual bashkëbisedimi. Për tu praktikuar Jonesko kopjonte në një fletë frazat e manualit.


Duke vepruar në këtë mënyrë ai vuri re banalitetin e përmbajtjes së frazave si "tavani është lartë, dyshemeja është poshtë", "ditët e javës janë shtatë", etj. Dhe ishin këto fraza që e frymëzuan Joneskon për të shkruar "Këngëtaren tullace".


Një vepër e cila cilësohet si e para e një lloj teatri që në atë kohë ishte në fillesat e tij, teatri të absurdit. Jonesko është shprehur se: "Duke shkruar këtë komedi (sepse çdo gjë është transformuar në një komedi ose antikomedi, është një imitim i keq i një komedie, një komedi brenda një komedie), më përshkonte një ndjenjë ligësie, një marramendje që më shkaktonte të përziera.


Shpesh isha i detyruar të ndërprisja punën dhe të pyesja veten me kokëfortësi se cili shpirt i lig më detyronte të vazhdoja të shkruaja. Shkoja të pushoja në kanape, me frikën se do ta shihja të zhdukej në hapësirë; dhe unë bashkë me të".


Ai nisi ta shkruajë në vitin 1948d he në vënien e parë në skenë, ky teatër i ri dhe i veçantë e gjeti të papërgatitur spektatorin i cili nuk e priti me entuziazëm. Vetëm në rivënien e dytë, shfaqja do të korrte sukses të madh..


Megjithëse vonë, si një nga autorët e ndaluar të letërsisë dhe dramaturgjisë moderne të shekullit të XX, Jonesko ashtu si Beket, më në fund pa dritën e skenës shqiptare vetëm pas viteve '90. Prej tij janë vënë në skenë "Mbreti po vdes" "Rinocerontët", "E ardhmja qëndron tek vezët" dhe "Karriget".


Diciturë:

Imazh nga "Këngëtarja tullace", një përpunim vizual i dramës së Eugjen Joneskos nga grafisti francez Robert Massin.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------

Filmi tek Marubi
Sy më sy


Një film i krijuar nga dashuria për kinemanë, një udhëtim eksplorues në njëqind vjet histori të filmit gjerman. Ajo çka duket ndonjëherë se është tepër larg, në të vërtetë ndodhet fare afër.


"Sy më sy" i regjisorëve Michael Althen dhe Hans Helmut Prinzler i cili shfaqet sot në orën 19.00 në kinemanë e Akademisë "Marubi" (që vazhdon të mos e ndëpresë aktivitetin e saj megjithë tensionin në vazhdim që prej tre muajsh), tregon çastet e mëdha të historisë së filmit gjerman. Para syve tanë kalojnë imazhet e paharrueshme të filmave që janë kthyer në klasikë.


Disa nga personalitetet më me emër të kinemasë gjermane si Wim Wenders, Michael Ballhaus, Christian Petzold, Ëolfgang Kohlhaase, Doris Dörrie e të tjerë zgjedhin fragmente nga filma të caktuar që kanë qenë shumë të rëndësishëm në formimin e tyre si kineastë, për të na treguar vlera që kanë hyrë në të vërtetë në historinë botërore të filmit.


Duke hetuar këto vlera, largohet shtresë pas shtrese gjithë ajo që na ka penguar ta njohim siç duhet historinë e kësaj kinemaje.
Filmi është vlerësuar me çmimin special të Berlinales së 58-të. Zgjat 106 minuta, është në gjuhën origjinale gjermane me subtitra anglisht.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›