E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Lista pa spiunë? S'jam i sigurt nëse janë pastruar

Intervista/ Kreu i shtetit vlerëson se debatet politike në fushatën zgjedhore duhet të jenë më produktive


"S'jam i sigurt nëse partitë politike te personat, që kanë katapultuar në garën elektorale i kanë pastruar radhët e tyre nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit"


Si mendoni se është zhvilluar fushata deri më tani?


Unë besoj se është në dinamikën e saj, nuk mendoj se ka të njëjtën ngjashmëri me fushatat e tjera. Kjo imponohet për shkak të ligjit zgjedhor, i cili të detyron, që të sillesh ndryshe dhe ta përjetosh ndryshe fushatën. Ligji i jep më shumë protagonizëm liderëve të partive politike.


Ligji u ndryshua edhe për një arsye se do të krijonte më pak tension, megjithatë edhe kësaj radhe nuk kanë munguar incidentet e shumta...
Unë mendoj se nuk janë element të qytetarisë dhe shpresoj që të jenë raste të izoluara, shpresoj që të jenë raste të amplifikuara përtej asaj, që ka ndodhur natyrisht. Ditët e mbetura të jenë ditë edhe të një harmonie politike mes partive politike, pasi është një betejë politike.


Zgjedhjet e ardhshme duhet të konsiderohen si një test i demokracisë pasi ne jemi në mbyllje të tranzicionit, jemi vend anëtar i NATO-s, ç'ka do të thotë se përgjegjësia për zgjedhjet duhet të jetë maksimale.


Si e përjetuat ngjarjen e Qerretit?


E përjetova ashtu siç do ta përjetonte çdo njeri në pozitën time, një ngjarje tragjike dhe ta mendosh se ndodhi në metropolin Tiranë -Durrës, aty ku siguria mendohet të jetë maksimale.


Ndodhi në një moment kur të gjithë kanë mundësi ta ndjekin fushatën elektorale edhe nëpërmjet kanaleve televizive dhe këto janë ngjarje, që nuk i takojnë një vendi, që është anëtar i NATO-s dhe që ka aplikuar për në BE.


Megjithatë edhe kjo ngjarje nuk i shpëtoi politizimit?


Sigurisht që do të marrë nuancat e veta politike, sepse edhe sfondi është politik. Mos mendoni se ispirohen thjesht nga lidershipi politikë, pasi kur flasim për një sfond politikë kam parasysh gjithë strukturën vertikale që kalon deri tek militanti politikë.


Në rast se militantët do të orientohen me diskurs elektoral agresiv natyrisht që edhe aty do të orientohen në xheste, që nuk shkojnë përshtat me standardet e kërkuara. Prandaj fjalimet politike duhet të jenë të qeta, mesazhet vizionare, duhet patjetër që t'i bindin njerëzit dhe unë nuk mendoj që gjuha e ashpër është ajo që realizon orientimin e votës.


Partitë vogla vlerësojnë se ky sistem përfaqëson një sistem të dështuar. Cili do të ishte gjykimi juaj?


Unë s'mund ti bëj koment ligjit pasi e kam dekretuar dhe vet kam qenë një nga partizanët e ligjit rajonal proporcional vite më parë. Sepse një ligj i tillë për Shqipërinë i jep mundësi, që të futen zonjat, të rritet kualiteti i përfaqësimit.


Kështu që nga kjo pikëpamje unë bëj një analizë pozitive për ligjin dhe nuk jam në gjendje t'ju them për performancën dhe dinamikën e partive të vogla politike të cilat ndoshta i kanë bërë mirë llogaritë e taktikave elektorale. ndoshta i kanë bërë gabim.


Si e përjetuat politikisht, personalisht apo institucionalisht përjashtimin nga listat e deputetëve të PD-së, të një pjese emrash, që nuk u përpoqën të fshinin një farë afrie me ju, por që politikisht u përkufizuan si pakicë bllokuese?


Ta fusësh këtë bisedë në këto kanale, do të thotë të më fusësh në një pozicion të retrospektivës sime. Asnjëherë nuk më ka munguar kurajo për të bërë analizën deri në qelizë të situatës politike, por të futem në këtë lloj bisede, mund të diskutoj për çështje në parim, pa individualizuar persona.


Në karrierën time politike kam pasur rastin të njihem nga afër me personalitete të shumta, që jo gjithmonë arrijnë të shkojnë deri në fund. Ndoshta e ndërpresin momentalisht karrierën e tyre edhe si pasojë e demonstrimit të një force karakteri. Nuk dëshiroj të merrem në mënyrë analitike me ndonjë rast të veçantë, por është thënë dhe stërthënë që politika është një biznes i vështirë.


Politika kërkon maturinë dhe veprimin, edhe kompromisin, por edhe demonstrimin e forcës së karakterit. Janë disa elementë të cilët patjetër duhet të arrijnë në një kombinacion fitues, përndryshe rrezikon ose të mos jesh në sinkron me vendimmarrjen politike të një grupi të caktuar politik, ose presupozon njëlloj nënshtrimi edhe të një vije politike për të cilën ti nuk je i bindur.


Kështu që unë respektoj vendimet individuale, sidomos për ata persona që kam admirim dhe kam vlerësimin tim për atë çka unë kam parë te ata. Ju u munduat ta fokusoni në një drejtim, unë mund të them se i kanë të gjitha krahët, edhe e majta, edhe e djathta. Asnjëherë këto vlera nuk mendoj se duhet të shuhen, këto vlera vetëm transformohen.


Politika është e tillë që kur njeriu ka motivacionin dhe angazhimin për të vazhduar politikën, mund të gjejë fare mire vendin e vet për t'u ndjerë i lirë në prononcimin e ideve, ku në disa formate politike të ngurta nuk gjen forcën e shprehjes së lirive të veta.


Këto lloj figurash mund të ishin edhe pjesë e stafit të Presidentit?


Unë nuk kam bërë në llogaritjen e stafit, i kam pasur mundësitë pa fund për të zgjedhur dhe nuk i shkoj këtyre konjukturave për të ekstraktuar këto vlera që dalin, gjithsesi ky treg është i hapur, tentoj që edhe në vazhdim mund të rris kualitetin e stafit që punon për Presidentin.


Si e shikoni faktin që emra "të vjetër", që kanë pasur kontribut në këto 18 vjet, sot janë jashtë listave?


Është çështje e perceptimit të partive politike. S'do e bëj atë gabim që të futesha në vizion dhe vendimmarrjen e partive respektive në Shqipëri. Ndoshta për të diskutuar gjithmonë parimisht dhe për të mos u keqkuptuar, ka të bëjë me nivelin dhe shkallën e demokracisë së partive në Shqipëri.


Unë do ta përmblidhja në këto 2-3 elementë, niveli i demokracisë së partive dhe stadi në të cilin interlokutorët politikë në një parti arrijnë të shprehen. Ndonjëherë krijojnë edhe bezdisje brenda grupeve politike dhe nuk u japin atyre shansin të jenë atraktivë për të vazhduar betejën së bashku.


Raste të tentativa për kontroll apo demagogji ka pasur edhe në krahun tjetër, mjafton të kujtoj ligjin e lustracionit që edhe atë ju e kontestuat, pavarësisht se e kaluat në heshtje...
Është folur shumë dhe kam qenë një nga ata që kam dëshiruar, që kjo çështje të marrë një zgjidhje definitive.


Por "s'jam i sigurt" nëse partitë politike tek personat që kanë katapultuar në garën elektorale i kanë pastruar radhët e tyre nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Kjo është një çështje që ka të bëjë me vullnetin e partive politike dhe kjo vlen më shumë për ata që kanë më shumë informacion.


Ata që janë në qeveri kanë më shumë informacion...
Jo, kanë qenë shumë në qeveri, janë ndërruar vazhdimisht. Kam përshtypjen që palët kryesore kanë informacion.


Sot edhe nëse s'ke informacion, nëse je i motivuar që të pastrosh politikën nga bashkëpunëtorët duhet të kërkosh informacion, që mund të jetë konfidencial dhe të bën të parandalosh infektimin e politikës së re parlamentare me njerëz që vijnë nga radhët e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.


I gjithë diskursi politik në funksion të pastrimit të ligjit të lustracionit duhet të jetë kompatibël me vullnetin e brendshëm të çdo lideri politik, ndryshe pastaj, pavarësisht nga pengesat do vijë një ditë që gjithçka do jetë transparente, për cilindo i cili ka qenë dhe është fshehur për tu bërë pjesë e garës politike.


Kurrsesi nuk do t'i barazoja me ata që kanë zgjedhur të kenë fatin e tyre pa u bërë protagonistë në politikë, pa u bërë interpretë të fateve të njerëzve dhe pa u bërë vendimmarrës për fatet e popullit të tyre.


Unë i konsideroj fatkëqinj ata që kanë qenë pjesë e infrastukturës së Sigurimit të Shtetit, por do t'i gjykoja me nota shumë negative, gati të ashpra ata që kanë që janë pjesë e infrastrukturës së sigurimit të shtetit dhe ende sot tentojnë të zhvillojnë garë elektorale në një kohë kur kanë bërë debat, kanë qenë pjesë e një debati të ashpër dhe sot janë me aspiratën për tu futur në parlament. Kjo do ishte e pafalshme jo vetëm për ata që marrin pjesë, por edhe për ata që i kanë çertifikuar.


Sa është prokuroria përgjegjësie për çështjet Fazllic, Rrëshen-Kalimash, Gërdecin?


Për shkak të ndjeshmërisë publike unë nuk dëshiroj të futem në asnjë element të veçantë. Kur flasim për prokurorinë dhe institucionet të cilat janë kushtetuese dhe kanë një ligj organik mbi të cilin veprojnë, besoj se institucionet tona kanë nevojë të rriten profesionalisht.


Pse jo të pastrohen nga njerëz që kanë pasur shumë pak profesionalizëm dhe shumë militantizëm dhe kjo nuk vjen në një ditë, por të ketë një tendencë të qartë që këto institucione nuk do munden të vazhdojnë në hijen e politikës dhe të intimidohen nga politika.


Ato do të jenë të fortë si institucione vetëm në momentin kur do kenë një strukturë të fortë, do kenë personalitete me integritet, përndryshe në rast se nuk je i aftë në profesion je i influencueshëm në të gjitha konjukturat.


Gjatë debateve politike ashtu si edhe gjatë kësaj fushate nuk kanë munguar edhe sulmet ndaj jush për përgjegjësinë e tragjedisë së Gërdecit, në aspektin e hierarkisë së vendimmarrjes dhe marrjes së informacionit...


Unë jam zgjedhur president në korrik të vitit 2007, ndërkohë që procedurat për ngritjen e fabrikës në Gërdec janë bërë në mars dhe prill të 2007. Kjo mjafton për të kuptuar përgjegjësinë time.


Kam qenë unë ai që në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit kam hedhur kritika që kanë qenë shumë objektive për të gjitha ato institucione, për të bërë të mundur dhënien e informacionit.


Edhe sot e kësaj dite në Shqipëri bëhet demontim dhe çështja është sesi duhet të japin informacionin dhe sa i saktë është ai. Institucionit s'mund të japin informacione se ky organizëm është me shëndet të mirë në një kohë që ky organizëm ka një problem shëndetësor. Pra këto informacione duhet të dinë që të mos japin informacione sipërfaqësore, por të japin informacione profesionale që secili të marrë përgjegjësitë.


Unë shumë gjera i kam lënë të rrjedhin, unë e di që ka dhe shumë abuzime në të gjithë debatin politik, por e vërteta është kjo që në vitin 2007 në korrik gjerat ishin projektuar, ishin realizuar dhe po punohej.


A e keni ndjekur procesin e pajisjes së qytetarëve me karta?


E kam ndjekur dhe sa më shumë i afrohemi afatit përmbyllës aq me frekuencë të lartë e ndjek dhe ndaj dua t'i bëj një apel të fundit atyre, që nuk kanë aplikuar të shfrytëzojnë ditën e fundit, si dhe tu bëj thirrje atyre që kanë aplikuar të shkojnë ti tërheqin.


Të bësh sot debat do të thotë të çorientosh publikun, ajo që është e nevojshme sot është apeli që duhet të bëjnë forcat politike përkrahësve të tyre, që të shkojnë të marrin pjesë në proces. Organet inteligjente dhe të policisë duhet të ndjekin procesin për rastet e dyshuara të keqpërdorimit të kartave siç janë falsifikimi etj.


Vërtetë mund të ketë ndonjë parregullsi por unë mund të konstatojë se ka pasur sportele, që për ditë tëra kanë qenë bosh, pra askush nuk i ka penguar këta njerëz, që të aplikojnë dhe këto informacione i kam zyrtare dhe të konfirmuara. Në rastet e dyshimeve, ata që kanë vërejtur parregullsi ti denoncojnë ato.


Por mund të them që në substancë sportelet janë të hapura. Ky është roli i partive politike që të denoncojnë rastet konkrete, prandaj dhe i nxis institucionet e ngarkuara me ligj që të hetojnë për rastet që kërkojnë të prishin procesin e aplikimit me dëshirë.
Marrë me shkurtime nga emisioni "Top Story"


Përgjegjësia për Gërdecin


Institucionit s'mund të japin informacione se ky organizëm është me shëndet të mirë në një kohë që ky organizëm ka një problem shëndetësor. Pra këto informacione duhet të dinë që të mos japin informacione sipërfaqësore, por të japin informacione profesionale që secili të marrë përgjegjësitë.


Unë shumë gjera i kam lënë të rrjedhin, unë e di që ka dhe shumë abuzime në të gjithë debatin politik, por e vërteta është kjo që në vitin 2007 në korrik gjerat ishin projektuar, ishin realizuar dhe po punohej.

Mesazhi për partitë


Në rast se militantët do të orientohen me diskurs elektoral agresiv natyrisht që edhe aty do të orientohen në xheste, që nuk shkojnë përshtat me standardet e kërkuara. Prandaj fjalimet politike duhet të jenë të qeta, mesazhet vizionare, duhet patjetër që t'i bindin njerëzit dhe unë nuk mendoj që gjuha e ashpër është ajo që realizon orientimin e votës.

Për Prokurorinë


Besoj se institucionet tona kanë nevojë të rriten profesionalisht. Pse jo të pastrohen nga njerëz që kanë pasur shumë pak profesionalizëm dhe shumë militantizëm dhe kjo nuk vjen në një ditë, por të ketë një tendencë të qartë që këto institucione nuk do munden të vazhdojnë në hijen e politikës dhe të intimidohen nga politika.


Ato do të jenë të fortë si institucione vetëm në momentin kur do kenë një strukturë të fortë, do kenë personalitete me integritet, përndryshe në rast se nuk je i aftë në profesion je i influencueshëm në të gjitha konjukturat

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›