"Arrest me burg" Kumbaros, në fuqi vendimi i 2003
SEFGJINI
Avokatët e ish- oficerit të SHIK-ut, kërkuan shuarjen e masës së sigurisë për klientin e tyre, por gjykata e hodhi poshtë pretendimin Ish- agjentët e shërbimit sekret, pranojnë se kryheshin veprime dhe ndalime arbitrare që nuk ishin atribut i SHIK-ut
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të ish-SHIK-asit Ilir Kumbaro, i arrestuar në Angli nga ku pritet të ekstradohet për në Shqipëri, për shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë në vitin 2003.
Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, menjëherë pas pyetjes së dy dëshmitarëve të akuzës para gjykatës, avokatët mbrojtës të zgjedhur nga djali i të pandehurit Kumbaro, i kërkuan togave të zeza të shfuqizojnë vendimin e caktimit të masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet në vitin 2003.
Kohë, kur me kërkesë dhe këmbëngulje të Avokatit të Popullit, prokuroria e kryeqytetit filloi për herë të parë hetimet dhe dorëzoi në Gjykatë dosjen penale me disa të pandehur për rrëmbimin e shtetasit Ziso Kristopuli e Avdyl Loshaj, si dhe rrëmbimin me pasojë zhdukjen e kosovarit Remzi Hoxha.
Sipas avokatëve mbrojtës, kjo masë sigurie që ndodhet në fuqi dhe si pasojë e kësaj, i pandehuri Ilir Kumbaro është shpallur në kërkim dhe arrestuar në Angli, i ka kaluar të gjitha afatet e parashikuara.
Pasi në përfundim të hetimeve dhe me vendim të Prokurorit të Përgjithshëm, i pandehuri Kumbaro është hetuar dhe pushuar dosja ndaj tij, për shkak se ka rezultuar se ka kryer vetëm veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe "torturës", vepra këto të amnistuara në vitin 1997, që automatikisht e liruan nga akuzat.
Por, kjo masë sigurie, sipas avokatëve, ka mbetur në fuqi dhe Kumbaro ndodhej në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarë. Prokurori, në fjalën e tij, pretendoi se kërkesa e avokatëve është e pabazuar dhe argumentuar, pasi masa e caktuar nuk është ekzekutuar në asnjë rast, çka mbetet në fuqi deri në ekzekutimin e saj.
Ndërsa, gjykata pas tërheqjes për këshillim, vendosi që kërkesa e avokatëve të mos pranohet, duke ia rrëzuar me pretendimin se "nuk keni tagër nga i pandehuri që kjo kërkesë të bëhet nga ju.
Pasi, kërkesa për shuarje të masës së sigurisë bëhet ekskluzivisht vetëm nga i pandehuri apo i arrestuari. Kështu që vendimi i masës së "arrestit me burg" mbetet në fuqi deri në arrestimin e të pandehurit Ilir Kumbaro në Shqipëri",-thanë në vendimin e ndërmjetëm anëtarët e pesëshes gjykuese të kësaj gjykate.
Gjithashtu, në seancën e djeshme gjyqësore, me kërkesë të prokurorisë u pyetën para togave të zeza, dy dëshmitarët e akuzës, shtetasit Zyber Shehu dhe Maliq Zeka, ish-agjentë të SHIK-ut në kohën e rrëmbimit të tre viktimave të SHIK-ut.
Dëshmitari Shehu kishte punuar për disa vite në SHIK-un e Lushnjës, dhe nuk kishte të bënte fare me dosjen e të pandehurve në këtë proces, por, ishte thirrur për të provuar se SHIK-u në atë kohë kryente edhe veprime që nuk ishin në kompetencë të saj, por gjatë dëshmisë së tij, ai nuk mbante mend asgjë.
Më pas, para togave të zeza ka dalë ish-agjenti i vëzhgimit të SHIK-ut të degës Tiranë, shtetasi Maliq Zeka, i cili nuk mbante mend nëse kishte vëzhguar ndonjëherë të zhdukurin Remzi Hoxha, por, shtoi se SHIK-u nuk kishte kompetencë të shoqërimit apo ndalimit të personave të ndryshëm.
Dëshmi kjo që i "fundosi" ish-shefat e tij, pasi njëri nga të pandehurit e kësaj dosjeje, Avni Koldashi, ka pranuar se me urdhër të shefave të tij kishte shoqëruar nga Saranda në Tiranë shtetasin Ziso Kristopuli dhe nga Tirana në Vainë të Lezhës shtetasin e zhdukur tashmë për 14 vite Remzi Hoxha bashkë me agjentët e tjerë në kundërshtim të rregullores se funksionimit të Shërbimit Informativ Kombëtar të asaj kohe.
Avokatët: Të largohet prokurori Hana
TIRANË- Po gjatë seancës së djeshme gjyqësore ndaj tre ish-drejtuesve të SHIK-ut Arben Sefgjini, Avni Koldashi e Ilir Kumbaro, avokatët e këtij të fundit i kërkuan prokurorit të çështjes të heqë dorë nga çështja.
Shkak për këtë heqje dorë vullnetare, sipas avokatëve, është se prokurori Xhevat Hana në vitin 1992-1997 ka punuar me detyrë inspektor pranë Avokatit të Popullit, ku ka këshilluar dhe takuar disa herë familjarët e viktimës Remzi Hoxha, duke kërkuar gjithashtu edhe nga prokurori fillimin e hetimeve për këtë çështje.
"Prokuror, duke qenë me detyrën e Inspektorit pranë Avokatit të Popullit, mbi ankesën e të afërmeve të Remzi Hoxhës, keni studiuar dhe grumbulluar materiale në ngarkim të të pandehurve dhe së fundi i keni kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, shfuqizimin e vendimit të pushimit të çështjes dhe të vendimit të pezullimit për veprat penale për të cilat kanë qenë akuzuar.
Mandej, pas emërimit tuaj në detyrën e Prokurorit pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe aktualisht, prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, keni kryer veprimet paraprake të hetimeve dhe përfaqësoni aktualisht çështjen në gjykimin që zhvillohet për të pandehurit.
Duke kryer të gjitha këto veprime, ju jeni të detyruar të hiqnit dorë nga hetimi dhe tani nga gjykimi i kësaj çështjeje, sepse ju keni dhënë këshilla dhe keni shfaqur mendime mbi objektin e procedimit dhe keni bërë kërkesë për rifillimin e hetimit.
Për të besuar në një proces të rregullt ligjor dhe të paanshëm, e shohim të rrugës të kërkojmë nga ju të hiqni dorë nga kjo çështje",-thuhet në kërkesën drejtuar prokurorit Xhevat Hana, i cili tha se do të shprehem në ditët në vazhdim mbi këtë kërkesë.